Aktualitet Krifca: Pika e grumbullimit në Tropojë eksporton 700 tonë gështenja

Krifca: Pika e grumbullimit në Tropojë eksporton 700 tonë gështenja

“Qeveria ka ndihmuar këtë vit fermerët me buxhetin më të madh si asnjëherë më parë të vënë në dispozicion të bujqësisë. Me një fond prej 49 milionë $, ne kemi mbështetur të gjitha kategoritë e fermerëve, nga ana që marrin pagesa direkte prej 50 mijë lekë që është minimumi i mundshëm prej skemës së naftës, për të gjitha kulturat bujqësore që kultivojnë, përfshirë edhe ullirin që nuk ishte e përfshirë, deri tek mbështetja për investime të drejtime të ndryshme të zhvillimit rural”.

Kështu deklaroi sot nga Tropoja, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ku mori pjesë bashkë me kryeministrin Edi Rama në një bashkëbisedimin me qytetarë të kësaj zone, për të diskutuar mbi çështjet e bujqësisë, rritjen e eksporteve dhe adresim e mbështetjes ndaj tyre në këtë kohë me sfida.

“Është shumë bukur ta nisësh ditën nga lartësitë e bjeshkëve tuaja. I jam bashkuar një turi dhe lëvizje mbarëkombëtare që kryeministrit Edi Rama ka ndërmarrë për të komunikuar dhe bërë një dialog të hapur me qytetarët e vendit, në kushtet e një situate kur ekonomia botërore është ndikuar nga lufta në Ukrainë”, u shpreh ministrja, teksa vuri në dukje angazhimin e qeverisë për marrjen e masave të duhura në sektorë të ndryshëm, për ta përballuar këtë krizë.

Ministrja informoi se, posaçërisht bujqësia ka treguar ecuri pozitive në këtë kohë krize.

“Ne këtë vit kemi pasur një rritje të prodhimit bujqësor vendas, që ka qenë dhe orientimi ynë kryesor më i rëndësishëm, që të rrisim sa më shumë të mundemi pavarësinë tonë ushqimore në raport me një situatë që krijon pasiguri në zinxhirin furnizues ushqimor të furnizimeve botërore. Bujqësia shqiptare është rritur këtë vit me 1.5 % duke kryesuar në këtë drejtim edhe ndaj vendeve të “Open Balkan” dhe kjo falë mbështetjes që ka adresuar qeveria për sektorin e bujqësisë”, theksoi ministrja.

Krifca solli në vëmendje shembullin e një investimi të rëndësishëm në Tropojë, që i vjen në ndihmë fermerëve për grumbullimin dhe shitjen e prodhimeve tipike të zonës, siç janë gështenja, boronica dhe arrorët.

“Politikat tona mbështesin konkurrueshmërinë e bujqësisë, teksa kemi intensifikuar mbështetjen në rrjetin e pikave grumbulluese të produkteve bujqësore (modele sipas standardeve bashkëkohore) që nxisin tregtinë dhe eksportet”, tha ministrja.

“Përmes pikës së re të grumbullimit që kemi ngritur këtu në Tropojë, ne i kemi mundësuar 2700 fermerëve të zonës, grumbullues të gështenjës, të shesin këtë produkt me çmime të leverdishme. Këtu gështenjat përpunohen, standardizohen dhe eksportohen duke marrë vlerë të shtuar. Tropoja ka 2700 ha sipërfaqe me gështenja. Kjo zonë është pasuri kombëtare dhe përbën një hapësirë të rëndësishme ekonomike. Këtë vit sezoni është mbyllur me sukses dhe vetëm nga kjo pikë grumbullimi janë eksportuar 700 tonë gështenja”, tha Krifca.