Kryesore Kufijtë e BE-së mbeten të mbyllur për shqiptarët

Kufijtë e BE-së mbeten të mbyllur për shqiptarët

Shqiptarët nuk mund të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ashtu sikurse pjesa më e madhe e shtetasve të Ballkanit Perëndimor. Përjashtim bëjnë vetëm ata nga Serbia dhe Mali i Zi.

Pas më shumë se, gjashtë ore diskutime, Këshilli i BE mori vendimin që u shoqërua me një listë, ku janë renditur 15 shtete.

Për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën kufizimet do të mbeten, edhe pas datës 1 korrik, edhe pse Komisioni Evropian kishte propozuar pak kohë më parë që për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të hapen kufijtë pasi situata epidemiologjike e koronavirusit ishte e ngjashme.

Bie në sy se në listë mbetet Kina, ndërsa nuk janë hequr kufizimet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mund të sjellë reagimin e administratës amerikane. Sipas zyrtarëve të BE, lista është bazuar në rrezikun real të situatës epidemiologjike të përhapjes së koronavirusit dhe nuk janë aspak politike.

Kriteri kryesor për heqjen e kufizimeve për hyrje në BE, ka qenë fakti që të ketë më pak se 16 raste me COVID-19 për 100.000 banorë në dy javët e fundit. Përjashtime do të ketë dhe këtu përfshihen: udhëtimet në BE për punë sezonale në bujqësi, udhëtimet për studime, për diplomatët, punëtorët shëndetësorë dhe disa kategori tjera. Po ashtu kufizimet nuk do të vlejnë për personat të cilët do të kalojnë tranzit.