Politika Kush do të jetë ministri i ri i Brendshëm? Zbulohen kandidatët potencialë

Kush do të jetë ministri i ri i Brendshëm? Zbulohen kandidatët potencialë

Kryeministri Edi Rama ka nisur konsultimet për emrin e ri të Ministrit të Brendshëm, që do të ulet në karrigen e lënë bosh pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt. Kreu i qeverisë u takua dje me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, me të cilin ka pasur një bisedë që zgjati rreth 50 minuta.

Burime pranë mazhorancës thonë se numri dy i PS, Taulant Balla, është kandidati më potencial për këtë post të rëndësishëm në këtë situatë, kur ministria e Brendshme është në qendër të ciklonit të revoltës pas vrasjes së 25-vjeçarit, por dhe në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Numri dy në Partinë Socialiste nuk ka në CV-në e tij një përvojë ekzekutive, duke e bërë atë më pak të sulmueshëm për menaxhim të fondeve publike apo të tenderimeve. Por, nga ana tjetër, Balla është një figurë e fortë socialiste dhe që ka qenë gjithnjë një ndër socialistët që ka hedhur më shumë akuza në drejtim të PD dhe LSI, në këtë mënyrë emërimi i tij në këtë situatë të rënduar do të shihej edhe si një provokim për opozitën.

Vetë Balla tha se ai do preferonte të mbante pozicionet që kishte në Partinë Socialiste.

“Unë jam kryetar i grupit parlamentar të PS dhe Sekretar i përgjithshëm i PS, e kam thënë shpesh që sipas librit të rregullave të PS Sekretari s’mund të marrë një detyrë ekzekutive. Në këto kushte do preferoja të isha në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm e kryetar i grupit parlamentar, por brenda grupit të PS e brenda njerëzve që kontribuojnë çdo ditë në këtë rrugë historike të një ndryshimi të pakthyeshëm të Shqipërisë”, tha Ballas sot kur pyet nga gazetarët nëse ka marrë një propozim për t’u bërë ministër i Brendshëm, pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt.

Emrat e tjerë që janë kandidatë të mundshëm është ai i sekretarit organizativ në PS, deputeti Arben Pëllumbi, apo ai i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila mund të kalojë në krye të ministrisë së Brendshme dhe në vend të saj të emërohet Damian Gjiknuri.

Nuk përjashtohet që kreu i qeverisë t’ia delegojë detyrën njërit prej 4 Zv/Ministrave të Brendshëm.

Kjo për shkak edhe të precedentëve të mëparshëm me Presidentin Ilir Meta, i cili ka refuzuar disa herë dekretimin e ministrave të qeverisë, ndërsa Rama e ka akuzuar edhe si orkestruesin e protestave.

Mësohet se emrin e ministrit të ri nuk do ta mësojmë para ditës së hënë, kur Kryeministri Rama do ta bëjë atë publik pas një fundjave ku pritet të qetësohet edhe vala e protestës.

Gjatë afro tetë viteve qeverisje, Kryeministrit Rama i është dashur të pranojë dorëheqjet e tre ministrave të tij të brendshëm, Saimir Tahirit dhe Fatmir Xhafajt për akuzat e ngritura ndaj tyre, i pari si i implikuar me familjarët e tij në trafik narkotikësh, ndërsa i dyti për shkak të vëllait të tij,i cili u dorëzua në Itali për të kryer një dënim të pa ekzekutuar.

Dorëheqja e Sandër Lleshajt erdhi pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie, por që sipas Lleshajt po kërkohej si sebep për të djegur Shqipërinë.