Kryesore Kuvendi voton me 97 vota pro rezolutën “kundër Metës” për Kushtetuesen

Kuvendi voton me 97 vota pro rezolutën “kundër Metës” për Kushtetuesen

Kuvendi miratoi me 97 vota një rezolutë në të cilën i kërkohet institucioneve të tjera të injorojnë Presidentin e Republikës, në lidhje me dekretin e tij për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Rezoluta e quan këtë veprim të Metës një akt absolutisht të pavlefshëm, jashtë kompetencave të tij dhe që minon funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

“I bëjmë thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike të mos e zbatojnë Dekretin e Presidentit për Xhaferllarin”, theksohet në rezolutën që u votua këtë të premte në një seancë të posaçme.

Gjithashtu, Kuvendi i bën thirrje Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese që të mundësojnë fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetues, Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, duke mos njohur emrin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Kushtetueses.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.