Aktualitet Lanë pas fëmijët e vegjël. Dyshimet për aksidentin që u mori jetën...

Lanë pas fëmijët e vegjël. Dyshimet për aksidentin që u mori jetën dy mësuesve

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e së premtes në Memaliaj, ndërsa humbën jetën dy persona.

Udhëtimi i përditshëm i katër mësuesve të shkollës në fshatin Krahës të Memaliaj, rezultoi fatal për dy prej tyre. Aksidenti tragjik mësohet se ka ndodhur rreth orës 14:30, teksa 4 mësuesit ktheheshin nga shkolla ku ata punonin në njësinë administrative të Bashkisë Memaliaj.

Uniformat blu kanë bërë të ditur se makina tip “Benz” me targa TP0700B ku ata udhëtonin, u aksidentua në rrugën nacionale Memaliaj-Krahës. Në vendin e quajtur “Mogila”, makina doli nga rruga duke përfunduar në kanalin kullues.

Për pasojë mbetën të vdekur drejtuesi i mjetit, Leonard Sako, dhe një prej pasagjereve, Ornida Hoxha. Ndërsa dy mësuesit e tjerë mbetën të lënduar, por fatmirësisht pa rrezik për jetën.

Personat e përfshirë në këtë aksident të rëndë ishin banues në Memaliaj, ndërsa përshkonin këtë rrugë përditë prej disa vitesh pune si mësues. Drejtuesi i mjetit, 43- vjeçari Leonard Sako, në Memaliaj njihet si një djalë pozitiv, baba i tre fëmijëve të mitur.

Ende nuk dihen shkaqet e sakta të këtij aksidenti që i mori jetën drejtuesit të mjetit dhe pasagjeres 36-vjeçare, mësuese dhe nënë e dy fëmijëve të vegjël. Paraprakisht, dyshohet se shkak i aksidentit të jetë bërë shpejtësia e lartë me të cilën udhëtonte mjeti, megjithatë hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Gjithashtu, burimet nga uniformat blu dyshojnë se ky aksident me pasoja të rënda mund të ketë ndodhur edhe për arsye shëndetësore që mund të ketë pësuar drejtuesi i mjetit.

“Në rrugën nacionale Memaliaj-Krahës, në vendin e quajtur ‘Mogila’, një automjet tip ‘Benz’ ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. Si pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri që ndodhej në mjet. Në vendngjarje shkoi grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Gjirokastrës.

KSSH: TË HETOHEN TENDERËT PËR TRANSPORTIN

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i shprehu ngushëllimet familjeve të dy arsimtarëve që ndërruan jetë në një aksident rrugor ditën e djeshme në aksin rrugor Memaliaj-Krahës dhe ngriti edhe njëherë shqetësimin për transportin e mësuesve dhe nxënësve, teksa hodhi akuza se tenderët vidhen nga organet ligjzbatuese.

Në një reagim pas ngjarjes së rëndë, KSSH i kërkon Prokurorisë të hetojë kontratat kolektive dhe të nisë një hetim për tenderët fiktivë për transportin e nxënësve dhe arsimtarëve.

“Zyra Arsimore Tepelenë duhet të mundësojë transportin e mësuesve dhe nxënësve me furgon ose autobus, por kjo çështje është lënë prej vitesh në harresë. E njëjta problematikë është në 60 bashki të vendit, ku tenderët për transportin janë ndër aferat kurruptive kryesore të zyrave arsimore dhe institucionet heshtin përballë këtij abuzimi që sot mori 2 jetë njerëzish. Shumë mësues janë të detyruar të japin mësim në zona të thella malore larg shtëpive dhe Zyrat Arsimore i detyrojnë të shkojnë me makinat private. Fondet e parashikuara për transportin e mësuesve vidhen sistematikisht dhe hetimet e nisura nga MAS nuk finalizohen asnjëherë as nga organet ligjzbatuese”, thotë në një reagim Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë. Kjo konfederatë, përmend edhe aksidentin e 19 dhjetorit 2019 në Arrëz të Korçës ku mësuesja Luiza Dule, 48 vjeçe, humbi jetën në një aksident rrugor dhe të plagosur mbetën edhe 6 mësues të tjerë./Panorama