Aktualitet Lëvizte me ‘Mercedez’ të blinduar nëpër Shkodër, policia shoqëron Safet Bajrin dhe...

Lëvizte me ‘Mercedez’ të blinduar nëpër Shkodër, policia shoqëron Safet Bajrin dhe i bllokon makinën

Safet Bajri rikthehet në dyert e policisë së Shkodrës. Këtë herë shkak u bë makina me të cilën ai lëvizte, e cila ishte e blinduar. Policia bën të ditur se pas verifikimeve rezultoi se Bajri nuk kishte autorizim për të qarkulluar me një mjet të tillë. Autoritetet i bllokuan automjetin në fjalë dhe i vendosën edhe gjobë.

“Shërbimet e Policisë, gjatë zbatimit të planit të masave për parandalimin e kriminalitetit dhe për goditjen e paligjshmërive, në qytetin e Shkodrës, shoqëruan në ambientet e DVP Shkodër, një automjet të blinduar. Pas verifikimeve rezultoi se drejtuesi i automjetit, shtetasi Safet Bajri alias Safet Rustemi, banues në fshatin Dobraç, Shkodër, qarkullonte i papajisur me autorizim të lëshuar nga organi kompetent. Drejtuesit të automjetit iu vendos masë administrative, konform Kodit Rrugor, si dhe u zbatua masa plotësuese për bllokimin e automjetit tip “Mercedes Benz” dhe do nisin procedurat e konfiskimit”, tha policia në një njoftim për mediat.

Makina e Safet Bajrit, e cila u sekuestrua nga policia

Safet Bajri është një prej pjesëtarëve të fisit Bajri, të akuzuar ndër vite për vepra të ndryshme kriminale, nga vrasjet, trafiku narkotikëve e deri tek gjobëvënia. Në burgjet shqiptare ai vuajti pjesën e mbetur të dënimit me 9 vjet burg, të dhënë nga Belgjika për trafik droge dhe u lirua vitin e shkuar.