Sport Liverpool shuan ëndrrën e Milan. Atletico kalon mes dhunës

Liverpool shuan ëndrrën e Milan. Atletico kalon mes dhunës

Milani dështon misionin për të kaluar në fazën tjetër të Champions League. Në “San Siro” në ndeshjen e fundit të Grupit B, kuqezinjtë luajtën përballë Liverpool që ishte plot me rezerva por anglezët treguan edhe njëherë se janë nivel tjetër duke fituar 2-1.

Ishte Tomori që ngriti ëndrrën e kualifikimit me një gol në 29’ për kuqezinjtë, por Salah barazoi në 36’ ndërsa Origi shënoi në pjesën e dytë në 55’ golin e nokautit. Me këtë humbje Milani renditet e fundit dhe eliminohet plotësisht nga Europa.

Më tej kualifikohet Atletico Madrid që pati një betejë të vërtetë në Oporto ndaj Portos dhe ku sfida përfundoi 3-1, por me shumë përplasje. Pas një pjese të parë me shumë polemika e dyta shpërtheu në kartona dhe në gola.

Griezmann shënoi në 56’ teksa Carrasco la me 10 lojtarë Atleticon, por në 70’ ndodh një sherr i madh në fushë ku edhe Wendel del me të kuq për vendasit. Correa e De Paul shënojnë duke vulosur kualifikimin ndërsa në shtesë Oliveira realizoi golin e nderit për Porton që shkon kështu në Europa League.

Real Madrid mposht 2-0 Interin dhe kalon si e para në Grup

Interi nuk ia del të fitojë në “Bernabeu” ndaj Real Madrid për të kryesuar Grupin D. Sfida përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të spanjollëve. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin vendas pas një super goli të Kroos nga jashtë zone teksa nuk munguan emocionet dhe rastet nga të dyja ekipet.

Në fraksionin e dytë Interi u nis të gjente barazimin, por Barella ndëshkohet me të kuq në 64’ duke ia lehtësuar fitoren Realit që gjen të dytin me Asensio në 79’.

Në sfidën tjetër Shakhtar barazoi 1-1 Sheriff Tiraspol që shkon në Europa League si e treta  e Grupit.

Në grupin C, tashmë të vendosur dhe ku luhej pa objektiva, Ajaxi konfirmoi ecurinë fantastike me 6 fitore ne po kaq ndeshje teksa shkatërroi Sportingun e vendit të dytë me rezultatin 4-2. Haller, Antony, Neres dhe Berghuis ishin autorët e golave teksa Nuno Santos e Tabasa shënuan për portugezet.

Në sfidën tjetër, Dortmundi mori një fitore për moral ndaj Besiktar me rezultatin e thellë 5-0 në një stadium me numër të kufizuar tifozësh. Haaland i futur në pjesën e dytë arriti të shënonte dy gola për verdhezinjtë për ta mbyllur në mënyrën më të mirë Championsin këtë vit.