Aktualitet Si është kthyer Dubai në “parajsën” e bosave të krimit shqiptar

Si është kthyer Dubai në “parajsën” e bosave të krimit shqiptar

Të paktën 6 shqiptarë, mes tyre 2 të kërkuar nga SPAK, i janë shmangur drejtësisë duke u strehuar në Dubai. Dyshimet janë që numri i të kërkuarve që fshihen në këtë vend, edhe me identitete të ndryshuara, është mbi 20.

Mbi ta rëndojnë akuzat e vrasjes ndaj një ose më shumë personave, trafik droge apo tentativë vrasje, si rasti i fundit i tre të rinjve që terrorizuan Lezhën.

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme i thanë Euroneës Albania se Emiratet e Bashkuara Arabe ku bën pjesë dhe Dubai, janë pjesë e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër krimit të organizuar, por për ekstradimin e subjekteve pa pasur një marrëveshje, mund të veprohet vetëm me reciprocitet.

Thënë ndryshe, Shqipëria duhet t’i dorëzojë Emirateve të Bashkuara një të kërkuar për llogari të drejtësisë së tyre dhe në këmbim, të tërheqë një nga shqiptarët e kërkuar që jetojnë atje.

Sipas burimeve nga policia kriminale, shqiptarët ‘problematikë’ që strehohen në Dubai, nuk përfshihen në krime të dhunshme apo përplasje mes bandave, pasi ligjet janë shumë të ashpra dhe mund t’u rrezikohet qëndrimi.

Duke parë Dubain si ‘folenë’ e personave në kërkim, autoritetet në Shqipëri po mbledhin informacion se si këta personazhe përfitojnë lejen e qëndrimit dhe procedurat që ndjekin. Fuqia e tyre ekonomike dhe kontrolli jo shumë i fortë financiar në këtë shtet, i ka siguruar atyre lirinë, mes luksit dhe qetësisë.

Burimi: Euronews Albania