Kryesore Lufta në Gaza, Rama do të marrë pjesë në forumin e Paqes...

Lufta në Gaza, Rama do të marrë pjesë në forumin e Paqes në Paris: Armëpushim në këmbim të lirimit të pengjeve

Shqipëria mbështet thirrjen e Presidentit Biden për një pauzë humanitare në Gaza. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në një postim në X, ndërsa bën thirrje për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.

“Ndërsa qëndrojmë me vendosmëri me Izraelin kundër Hamasit, ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar për vuajtjet e civilëve dhe shkatërrimin në Gaza. Është thelbësore t’i jepet fund këtij konflikti përpara se ai të përshkallëzohet më tej dhe të dalë jashtë kontrollit. Shqipëria mbështet thirrjen e Presidentit Biden për një pauzë humanitare”.

Sipas tij “në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm, Liga Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi”.

Rama thekson se pas krimeve të tmerrshme të kryera më 7 tetor, nuk mund të ketë të ardhme politike për Hamasin, teksa njofton se do t’u bashkohet liderëve botërorë në Forumin e Paqes në Paris.

“Sipas një mandati të OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Liga Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar një kalim të përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi te Autoriteti Palestinez. Së shpejti do të bashkohem me liderët e tjerë botërorë në Forumin e Paqes në Paris, ku do të diskutojmë mënyrat për rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme”.