Bota Maqedonia e Veriut: Ortodoksë e muslimanë, gati të presin Papa Françeskun

Maqedonia e Veriut: Ortodoksë e muslimanë, gati të presin Papa Françeskun

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut po përgatiten për të pritur Papa Françeskun i cili do të vizitojë Shkupin më 7 maj.

Më shumë se 15 mijë vende janë rezervuar në sheshin kryesor të kryeqytetit, ku Papa pritet të mbajë meshë.

Kjo është hera e parë që një Papë viziton Maqedoninë e Veriut. Edhe pse vendi ka një komunitet shumë të vogël katolik, Papa e ndërmerr vizitën në shenjë respekti për vendlindjen e Nënës Terezë.

Papa do t’u drejtohet krerëve shtetërorë dhe zyrtarëve të lartë qeveritarë në presidencën e Maqedonisë së Veriut, ku do të jenë edhe diplomatët e huaj dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Më pas, në shtëpinë përkujtimore të Nënës Terezë në Shkup ai do të takojë krerët e bashkësive fetare të vendit, përkatësisht të Kishës Ortodokse maqedonase, të Bashkësisë Fetare Islame, të Kishës Evangjeliste Metodiste dhe të Bashkësisë Hebreje.

Interesi i medias është tepër i madh, pasi 400 gazetarë kanë kërkuar të akreditohen, prej tyre 200 të huaj.