Bota Mbi 1,19 milionë të vdekur nga Covid në botë, në Gjermani nis...

Mbi 1,19 milionë të vdekur nga Covid në botë, në Gjermani nis izolimi

Kufizime të shumta të kontakteve, mbyllje restorantesh dhe kufizimi i rreptë i aktiviteteve: prej së hënës në Gjermani futen masa të reja në luftimin e pandemisë Corona. Fillimisht për katër javë.

Në të gjithë Gjermaninë do të mbyllen deri në fund të nëntorit objektet e kulturës dhe aktiviteteve në kohë të lirë. Kafenetë dhe restorantet do të punojnë vetëm për shitjen e mallrave jashtë objekteve, pra mund të shesin ushqime që mund të merren me vete. Edhe për takimet e personave janë ashpërsuar masat: në ambiente të hapura mund të takohen vetëm anëtarët e dy familjeve, e kjo vlen pjesërisht edhe për takime në objekte të mbyllura. Hotelet nuk do të pranojnë turistë. Dyqanet edhe më tej mbeten të hapura, por me kushte shumë më të rrepta se deri tani. Shkollat dhe kopshtet mbeten të hapura.

Masat do të vlejnë tani për tani deri në fund të nëntorit. Nga mesi i muajit do të bëhet një bilanc i këtyre masave dhe do të shihet nëse ato kanë dhënë rezultatet e duhura. Por në përgjithësi mund të thuhet se masat e tanishme nuk janë aq të ashpra si në pranverë. Qëllimi është kufizimi i kontakteve, që të mos mbingarkohet sistemi shëndetësor në Gjermani – në veçanti puna e stacioneve intensive.

Numri i infektimeve në Gjermani po rritet

Instituti Robert Koch (RKI) ka njoftuar për 12.097 infektime të reja, brenda 24 orëve të fundit. Por shifrat në fundjavë janë zakonisht më të ulëta, sepse jo të gjitha Zyrat e Shëndetit Publik japin rezultatet në këto dy ditë. Në përgjithësi në Gjermani janë regjistruar deri tani 545.027 infektime me virusin Corona. Numri i të vdekurve është 10.530.

Shqetësimi më i madh në kohën e krizës së Coronës është në sektorin e kulturës dhe gastronomisë. Shumë prej tyre kanë frikë për ekzistencën. Krahas paketës së deritanishme ekonomike do të hartohet një paketë tjetër në vlerë prej 10 miliardë euro për të ndihmuar sipërmarrësit privatë, të cilët në nëntor do të kenë rënie të madhe. Juristët llogarisin se në të ardhmen do të ketë një valë ankesash para gjykatave.

Zhvillimet në botë

Në mbarë botën janë regjistruar deri tani më shumë se 46,37 milionë të infektuar me virusin Corona. Këto shifra i ka publikuar agjensia Reuters, në bazë të të dhënave të veta. Kanë vdekur deri tani 1,19 milionë vetë. Ndërsa vendet me numrin më të madh të të infektuarve janë SHBA, India, Brazili, Rusia, Franca dhe Spanja.