Aktualitet “Mbyllja e shkollave, për shkak edhe të Covid”, qeveria merr vendimin: 3...

“Mbyllja e shkollave, për shkak edhe të Covid”, qeveria merr vendimin: 3 ditë pushim për 1 nga prindërit

Pas mbylljes së 3 ditë të shkollave për shkak të motit të ftohtë në vend, Qeveria ka marrë sot vendimin për caktimin e 3 ditëve pushim edhe për njërin nga prindërit e fëmijëve të mitur.

“Caktimin e datave 24, 25 dhe 26 janar 2022 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore. Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe, për aq sa është e mundur, përjashtimisht, me kërkesë të eprorit të drejtpërdrejtë ose titullarit të institucionit, mund të kryejnë detyrat më të domosdoshme funksionale të cilat përmbushen në kushtet e banesës, nëpërmjet telepunës”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Sipas VKM, dita e pushimit do të jepet automatikisht për punonjësit e administratës shtetërore ndërsa për kategoritë e tjera, kërkohet mirëkuptim nga punëdhënësi.

Qeveria pranon gjithashtu se mbyllja e institucioneve arsimore nuk bëhet vetëm për shkak të temperaturave te ulëta, por edhe për shkak të gjendjes së rënduar me përhapjen e Covid 19.

“Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe të institucioneve arsimore, si pasojë e motit të ftohtë të këtyre ditëve, jo të zakonshëm në vend, dhe përshkallëzimit të përhapjes së infeksionit nga COVID-19, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre, sipas pikës 1, të këtij vendimi. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi, duke garantuar funksionalitetin e domosdoshëm të çdo institucioni”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.