Sport McKennie: Me fat që kam Pirlon trajner, edhe sot nuk ia merr...

McKennie: Me fat që kam Pirlon trajner, edhe sot nuk ia merr dot topin

Weston McKennie është pa dyshim një blerje e goditur e Juventusit për mesfushën. Futbollisti amerikan i ka treguar menjëherë cilësitë e tij te “Zonja e Vjetër”, ku nën drejtimin e Andrea Pirlos ka çfarë të mësojë për rolin që ka në fushë. Në një intervistë për ESPN, 22-vjeçari zbuloi se 41-vjeçari i stolit të Juves vazhdon të tregojë aftësi të jashtëzakonshme kur bëhet pjesë aktive e stërvitjes.

“Kam kaluar mirë deri më tani. Pirlo ishte një nga më të mirët në pozicionin e tij. Në fakt, luante në pozicionin tim, ndaj e dija që do të mësoja shumë prej tij, duke e pasur trajner. Ai luan me ne ndonjëherë dhe është kaq elegant. Nuk mund ta marrësh topin prej këmbëve të tij. Ai e njeh më mirë se askush rolin e mesfushorit, kështu që ta kesh trajner është shumë e bukur”.

Përtej ngurrimi në ditët e parë si rrjedhojë e pranisë së “yjeve”, si Cristiano Ronaldo, McKennie e fitoi shumë shpejt reputacionin në skuadër: “Juventusi është një nivel tjetër. Pa dyshim që kisha drojë kur hyra në dhomën e zhveshjes, duke parë lojtarët me të cilët ke luajtur në “play station”. Mendova me vete: oh, Zoti im! Unë mund të mësoj shumë nga këta njerëz. Nuk ishte sekret se kisha qëllim të kaloja në Premier League, por kur të kërkon një ekip si Juventusi, me kalibrin e lojtarëve që ka, stafin trajnues, duke dëgjuar se Pirlo do të jetë trajneri i ri, kjo e bëri kalimin në Serie A gjithnjë e më tërheqëse”.