Bota Me apo pa maskë? Azia ka shkallën më të lartë të përdorimit,...

Me apo pa maskë? Azia ka shkallën më të lartë të përdorimit, vendet nordike në minimum

Duke e kuptuar më mirë mënyrën se si përhapet COVID-19 ka ndryshuar perceptimin për përdorimin e maskës në publik.

Fillimisht, OBSH deklaroi se maskat duhet të përdoren vetëm nga personeli mjekësor ose nga njerëzit që kanë simptoma të ngjashme me COVID-19. Sidoqoftë, gjatë muajve të fundit ka pasur prova në rritje se shumë persona të infektuar me coronavirus nuk shfaqin simptoma, por mund ta transmetojnë virusin.

Prandaj Organizata Botërore e Shëndetësisë ndryshoi qëndrimin e saj. Një studim i fundit nga YouGov ka vëzhguar qasjen e njerëzve në 26 vende karshi përdorimit të maskave në publik. Dhe ndryshimet mes vendeve janë të habitshme.

Në Mbretërinë e Bashkuar, 36% e personave përdorin maska në publik, ndërsa në Itali 83% dhe Spanjë 86%. Përqindja e njerëzve që deklarojnë se përdorin maska në publik ishte më e ulëta në vendet nordike (Danimarka 4%; Suedia 6%; Finlanda 7%) dhe më e larta në vendet aziatike (Vietnami 74%; Kina 82%; Singapori 90%).

Ditët e fundit kemi qenë dëshmitarë të përdorimit të maskave edhe nga liderë botërorë të cilët kishin refuzuar përdorimin e tyre më parë, si presidenti amerikan Donald Trump apo kryeministri britanik Boris Johnson.