Sport Messi për CNN: PSG, ekipi ideal për të fituar sërish Champions

Messi për CNN: PSG, ekipi ideal për të fituar sërish Champions

Lionel Messi mbylli aventurën që zgjati afro dy dekada me Barcelonën, për tu transferuar te Paris Saint Germain. Ylli argjentinas firmosi kontratë 2-vjeçare në kryeqytetin francez, me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon, nga e cila do të përfitojë mbi 100 milionë euro. Në një intervistë për CNN, 34-vjeçari theksoi se ambiciet e tij përkojnë me ato të klubit. Trofeu i Champions është objektivi primar, me parizienët që e synojnë për herë të parë në histori, ndërsa Messi e ka fituar katër herë.

“Jam i vetëdijshëm për ato çfarë kam arritur dhe për objektivin që ka klubi. Paris Saint Germain lufton prej kohësh që të fitojë Champions-in dhe në vitet e fundit ka qenë pranë kupës. Në nivelin personal do të dëshiroja shumë ta fitoja përsëri këtë trofe. Besoj se erdha në skuadrën ideale për ta realizuar. Kemi të njëjtat synime. Në Paris ka lojtarë të jashtëzakonshëm dhe një prej skuadrave më të mira në botë. Shpresojmë ta arrijmë objektivin, që klubi dhe unë e dëshirojmë kaq shumë, për ti dhënë gëzime dhe tifozëve tanë”.

Vetëm pak ditë më parë, Messi i dha lamtumirën Barcelonës mes lotëve. Në intervistën për Amanda Davies, ai foli për ndarjen nga klubi ku u rrit e mes të tjerave fitoi dhjetë tituj kampion të Spanjës dhe 6 Topa të Artë.

“Është e vështirë ta shpjegosh me fjalë atë që përjetova gjatë kësaj jave. Ajo që ndodhi me Barcelonën ishte një eksperiencë tejet e vështirë. Gjithashtu edhe lamtumira nga një skuadër ku kam kaluar gjithë jetën. Mes asaj dhimbje, tre ditë më pas gjithçka ndryshoi. Tashmë jam shumë entuziast për këtë fillim të ri. Momenti i mbërritjes ishte mjaft special, mirëpritja e ngrohtë nga njerëzit, tifozët që dolën në rrugë të më përshëndesnin. Po pres me padurim të nis këtë epokë të re. Jam gati të nis jetën time të re në Paris”.

Pas largimit nga “Camp Nou”, Leo Messi pohoi se miqtë e tij te PSG, mes të cilëve ish-shoku i ekipit Neymar dhe dy argjentinasit Ángel Di María e Leandro Paredes, ishin vendimtarë në vendimin që të transferohej në “Qytetin e Dritave”. Fakti që do të luajë sërish me Neymar dhe në repartin ofensiv do të ketë përkrah edhe talentin francez Kylian Mbappé e entuziazmon 34-vjeçarin.

“Është e jashtëzakonshme që do të punojmë përditë së bashku. Me shokët e sulmit, por edhe me të gjithë ekipin. Klubi ka realizuar disa afrime të shkëlqyera. Dëshiroj shumë të nis stërvitjet dhe të jem gati, sepse do të luaj me disa prej lojtarëve më të mirë në botë”.

Me afrimin e emrave si Messi, Sergio Ramos, Donnarumma, Achraf Hakimi e Wijnaldum, vlera e skuadrës së Paris Saint Germain është rreth 1 miliardë euro, ndërsa asetet e klubit tashmë vlerësohen në mbi 2.5 miliardë euro.