Kryesore Meta: Nuk është koha për eksperimente, respektoni kufizimet

Meta: Nuk është koha për eksperimente, respektoni kufizimet

Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e reja dhe kufizimet. Sipas kreut të shtetit nuk është nevoja të bëhen eksperimente në vendin tonë pasi edhe Italia që ka një sistem të përparuar shëndetësor është vënë në vështirësi prej COVID-19.

“Thirrja ime është që të gjithë duhet t’i respektojnë kufizimet sepse janë për të mbrojtur çdo qytetar dhe çdo sjellje e pakujdesshme mund të rezultojë fatale jo vetëm për ata dhe për familjarët e tyre. Nuk kemi nevojë të bëjmë eksperimente. Të respektojmë rregullat dhe kufizimet sepse janë në interes të të gjithëve dhe çdo qytetari. nuk duhen konsideruar si privim”, tha Meta.

Kreu i shtetit tha se Këshilli i sigurisë do të mblidhet në kohën e duhur. Sa i përket vendimit për të dalë në rrugë përveç policisë edhe ushtria, Meta tha se kjo është bërë në funksion të garantimit të disiplinës që do t’i mbrojë qytetarët nga pakujdesia.

Meta u pyet edhe rreth masave të qeverisë, ndërsa theksoi se me kalimin e ditëve do të përmirësohet mekanizmi mbrojtës për shkak se edhe udhëzimet ndryshojnë shpesh nga OBSH-ja.

“Kjo është një krizë e re dhe jo vetëm, për ne dhe për vendet e tjera. Ju e shikoni që kanë ndryshuar edhe udhëzimet e OBSH-së, kështu që çdo ditë do të përmirësohet mekanizmi reagues, parandalues, izolues dhe për këtë duhet bashkëpunim i të gjithëve dhe solidaritet i të gjithëve”, tha Meta.