Bota “Mos bëj të fortin. Mos u bëj budalla”/ Letra e paprecedent e...

“Mos bëj të fortin. Mos u bëj budalla”/ Letra e paprecedent e Trumpit për Erdogan

Gazetarja amerikane e Fox News, Trish Regan, ka publikuar një letër të cilën Trump ia ka dërguar presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.

Në këtë letër, presidenti amerikan i kërkon homologut turk të bëjë marrëveshje me kurdët e Sirisë, ose historia do ta ndëshkonte si “djall” dhe SHBA-të do ta shkatërronin ekonominë e Turqisë.

“S’do të duash të jesh përgjegjës për vrasjen e mijëra njerëzve. Dhe unë s’dua të jem përgjegjës për shkatërrimin e ekonomisë turke. Dhe kam për ta bërë”, kërcënon Trump në letrën e shkruar më 9 Tetor, të publikuar nga Fox News këtë të mërkurë.

Trump i bën thirrje Erdoganit të bëjë marrëveshje paqeje me Forcat Demokratike Siriane, duke theksuar se gjenerali kurd, Mazllum Kobani, do të ishte i gatshëm të bënte lëshime që nuk do t’i kishin bërë kurrë më parë.

“Mos bëj të fortin. Mos u bëj budalla”, i shkruan Trump presidentit turk. “Jam munduar shumë që t’i zgjidh disa probleme tuajat. Mos e zhgënje gjithë botën. Mund të arrish një marrëveshje shumë të mirë.”

Pasi Amerika vendosi të largohet nga Siria veriore, ku kishte bashkëpunuar prej kohësh me forcat kurde kundër ISIS-it, duke u garantuar mbrojtje nga Turqia, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ndërmori një fushatë ushtarake kundër forcave kurde.

Bombardimet nga ajri u ndoqën nga një pushtim nga toka, gjë që solli vrasjen e një politikaneje kurde, sulmin e një autokolone me gazetarë dhe largimin e 275 mijë banorëve nga shtëpitë e tyre. Për këto, OKB thotë se Turqia mund të mbajë përgjegjësi për krime lufte.