Aktualitet Në harresë nga qeveria,Bashkia Mat rregullon sheshin me fondin e vet

Në harresë nga qeveria,Bashkia Mat rregullon sheshin me fondin e vet

Bashkia e Matit ka rikonstruktuar me buxhetin e saj qendrën e qytetit të Burrelit. Sheshi “Demokacia” tashmë ka marrë një pamje krejt tjetër pas përfundimit të procesit të rikualifikimit total të pllakave. 5 mijë metra katror pllaka janë zëvendësuar nga specialistët e Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Mat.

Rikonstruksioni i sheshit është bërë vetëm falë të ardhurave të Bashkisë, pasi qeveria, ndryshe nga çfarë bëri me bashkitë e PS-së, Matin e drejtuar nga PD, refuzoi ta përfshinte në projektin e “Rilindjes Urbane”.

Kryebashkiaku Nezir Rizvani thotë se është bërë një punë maksimale nga ana e Bashkisë dhe Drejtorisë së shërbimeve për t’u mundësuar qytetarëve një shesh të denjë dhe në funksion të përmirësimit të imazhit të qytetit të Burrelit.

“Prej vitesh i lënë në harresë, Bashkia Mat ia doli që me fondet e saj, t’u “dhurojë” qytetarëve një pamje tjetër të sheshit qendror. Qeverisë i kemi kërkuar vazhdimisht financimin e projekteve, por përgjigjja që marrim është negative. Prandaj jemi të detyruar që qytetarëve t’u shërbejmë vetë me aq kapacitete dhe buxhet sa kemi, sepse nga ana e ekzekutivit nuk kemi shpresë për reflektim, përsa kohë tashmë kjo qeveri e ka braktisur detyrën, ka braktisur qytetarët”, tha Rizvani.