Bota Nëse Beogradi ndërmerr një sulm në veri? Escobar: Kosova ka garanci shumë...

Nëse Beogradi ndërmerr një sulm në veri? Escobar: Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga SHBA

Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar është shprehur se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga SHBA-ja.

Këtë pohim në një intervistë në Prishtinë për Radio Evropa e Lirë kur u pyet se si e sheh SHBA deklaratën e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç që Serbia, më 15 dhjetor do të kërkojë nga KFOR-I kthimin e forcave të saj në Kosovë.

“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht. Ne e hedhim poshtë këtë kategorikisht, ne nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga SHBA”, tha ai.

I pyetur se cili do ishte reagimi i SHBA-së nëse Beogradi vërtetë do të ndërmerrte një inkursion të armatosur në veri, diplomati theksoi:

“E para këtë nuk e pres dhe e dyta po e përsëris Kosova ka garanci të forta sigurisë nga SHBA, të manifestuara përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR”.

Escobar thotë se barrikadat në veri të Kosovës, duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur ato, por kërkon nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyra për të adresuar shqetësimet e komunitetit serb në veri.

Escobar, po ashtu, thotë se formimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë është obligim, si për Kosovën dhe Serbinë, ashtu edhe për BE-në që e ka ndërmjetësuar negocimin e tij.