Ekonomi Nga kamerierët te punonjësit e call-center: Kategoritë që përfitojnë 400 dollarët

Nga kamerierët te punonjësit e call-center: Kategoritë që përfitojnë 400 dollarët

Këtë mbrëmje i ftuar në studionin e “Opinion”, ministri i caktuar për menaxhimin e situatës së Covid-19, Arben Ahmetaj, ka shpjeguar me tej paketën e dytë ekonomike të prezantuar më herët ditën e sotme nga kreu i qeverisë, Edi Rama.

Ahmetaj sqaroi se ato biznese që kanë përfituar nga paketa e parë ekonomike, 260 mijë lekë të vjetra do vijojnë t’i marrin për muajt që do vijojë kjo situatë, ndërsa të gjitha bizneset e vogla që nuk janë përfshirë tek paketa e parë dhe që rezultojnë të mbylla, por dhe ato biznese të vogla që janë të hapura por për shkak të situatës nuk kanë pasur punë, do të marrin një bonus 400 mijë lekësh të vjetra, por vetëm një herë.

Duke sqaruar pikat e paketës ekonomike, Ahmetaj tha se përllogariten që 40 mijë punonjës të jenë shkarkuar nga puna nga muaji Mars, deri në 10 Prill.

Edhe kjo kategori është e përfshirë në bonusin prej 400 mijë lekësh të vjetra që qeveria ka vënë në dispozicion.

“Paketa do jenë në funksion të dinamikës ekonomike dhe të virusit.

Për të punësuarit që është mbyllur biznesi, ata marrin tre paga 260 mijë lekë të vjetra, mars, prill dhe maj. Për ata që e kanë hapur biznesin, por nuk punojnë dot për shkak të kufizimeve, përfitojnë një pagese të vetme prej 400 mijë lekë të vjetrash, një subvencionim, një bonos nga buxheti i shtetit.

Janë dy lloj kategorish brenda biznesit të vogël, ata që janë mbyllur me urdhër dhe ata që janë të hapur por është në një trajektore rënëse, qeveria ndërhyn me një pagesë të vetme.

Me përjashtime të dyqaneve të ushqimeve, farmacitë… çfarë kanë aktivitet për shkak të natyrës dhe situatës, ata nuk kanë problemin e biznesit të vogël normal, janë 12% që janë në punë normale. Po ashtu nuk përfitojnë ata që kanë profesione të lira, si avokatë, noterë… pra profesionet e lira sepse këta nuk janë tek kategoria e qytetarëve në nevojë”.

Disa nga kategoritë që përfitojnë:

Kamerier, kuzhinier, recepsionist, pastrues, punonjësit e fasonerisë, të call-center-it, punonjësit e lavazheve, të SPA-ve, të agjencive turistike, etj.

Kategoritë që përjashtohen (profesionet e lira):

Noterët, avokatët, mjekët, farmacistët, infermierët, arkitektët, inxhinierët, agronomët, ekonomistët, vlerësues pasurish të paluajtshme, laborantë dentarë.

Po sigurimet shoqërore?

Sigurimet shoqërore do t’i paguajnë vetë ata nëse do të duan. Qoftë pagën minimale, duke paguar 4000 lekë sigurime.

Si merren paratë?

Paratë nuk u jepen bizneseve, por u hidhen në bankë ish-punonjësve. Këta të fundit duhet të aplikojnë tek Tatimet.

Kur merren paratë?

Paratë do të jepen mes 20-25 majit.