Aktualitet Nga punëtor në prodhues vaj ulliri në Itali: Historia e 43-vjeçarit shqiptar...

Nga punëtor në prodhues vaj ulliri në Itali: Historia e 43-vjeçarit shqiptar që sot ka fabrikën e tij

Një histori shpengimi që kalon përmes vetmisë, urisë, dëshpërimit, punës së palodhur dhe rilindjes.

Klodjan Agalliu është 43 vjeç. Ai është shqiptar dhe prej disa kohësh jeton në Vieste, në Gargano. Ai ka shtetësi të dyfishtë. Prodhon vaj dhe ka fermën e tij të ngritur me shumë përpjekje. Quhet kompania ‘Olio della Valle’, kompani ku ka edhe të punësuar.

Por historia e Klodjanit shkon shumë larg. Një histori shpengimi që kalon përmes vetmisë, urisë, dëshpërimit, punës së palodhur dhe rilindjes.

Sipas “Repubblica”, ishte viti 1999 kur në prill mbërriti në Itali, Klodjani (tashmë i italianizuar si Claudio), vetëm 18 vjeç. Në moshën 14-vjeçare, ai ishte larguar tashmë nga Durrësi për të kërkuar punë në Greqi, më pas një mik i sugjeroi Italinë dhe ai pranoi menjëherë “sepse ishte i dashuruar” me gadishullin.

“Pagova tek kontrabandistët 800 mijë lireta. Erdha në Leçe, më pas në Brindisi dhe në fund në Foggia ku unë dhe shoku im qëndruam pranë një fshati, Arpinovës, në një “shtëpi të zezë”. Aty qëndruam gjashtë muaj, duke bërë një mijë punë, sidomos në fshat të zonës. Më pas, shoku im largohet nga Pulia dhe shkon në Siçili dhe unë shkoj në Mattinata dhe atje jeta ime merr një rrugë tjetër. Unë njoha Vincenzo Piemontese, pronar i tokës së mbjellë me ullinj midis Mattinata, Vieste, Manfredonia dhe zonave përreth. I detyrohem gjithçka atij. Mësova zanatin, duke u dashuruar me këtë zonë. Pas 15 vitesh punë në Mattinata, në vitin 2016 vendosa të blej tokën dhe të hap biznesin tim”, tha Klodjani.

Në fillim shiste vetëm vaj me shumicë.

“Por më paguanin pak dhe shpenzimet ishin të mëdha, ndaj fillova të punoj për të tretë, derisa vendos ta prodhoj dhe ta mbush vajin vetë.”

Quhet “Olio della Valle” dhe kurioziteti qëndron tek emri: “Rashë në dashuri me tokën në Vieste të cilën e bleva me pas, sepse shtrihet në një luginë të madhe. Këtu mund të thithësh ajër të pastër”.

Klodjani e gjeti dimensionin e tij në zonën e Foggia, në Vieste. Tani, ai është i martuar me një vajzë shqiptare që ka njohur vite më parë dhe ka dy fëmijë 16 dhe 6 vjeç.

“Kam punuar shumë, kam mësuar shumë dhe rrugëtimi im është ende duke vijuar”, përfundon Klodjani.