Kuriozitete Nga Vatra te Michael Jackson: Çfarë ka ndodhur më 13 qershor?

Nga Vatra te Michael Jackson: Çfarë ka ndodhur më 13 qershor?

313 – Dekreti i Milanos, nënshkruar nga Konstandin i Madh dhe bashkë-perandori Valerius Licinius që u jep lirinë fetare të gjithë banorëve në Perandorinë Romake, shpallet në Nicomedia (sot Izmit, në veriperëndim të Anadollit).

1525 – Gjermani; prifti Martin Lutheri martohet me murgeshën Katharina von Bora, në kundërshtim me dekretin nga Kisha Katolike Romake që ndalonte martesat e priftërinjve dhe murgeshave. Çifti pati disa fëmijë dhe me vdekjen e Luterit, 1546, Katharina Bora u vu në krye të kishës protestante, e cila më pas do të quhej Luterane.

1774 – Amerikë; Rhode Island bëhet e para koloni britanike e Amerikës së Veriut që ndalon importimin e skllevërve dhe mbyll kufijtë për të penguar trafikimin e tyre.

1894 – Lindi, Jacques Henri Lartigue, fotograf dhe piktor francez, i njohur për fotografitë e tij të garave me automobilë dhe modeleve pariziane të modës. Vdiq më 1986. Punimet e tij shpesh krahasohen për nga stili me ato të shqiptaro-amerikanit Gjon Milit (1904 – 1984), i njohur për fotografi objektesh dhe njerëzish në lëvizje.

 1912 – SHBA; Federata Panshqiptare Vatra njihet zyrtarisht nga shtetit Masaçusets. Ky zhvillim e përfshin Vatrën në lëvizjen e rilindjes Kombëtare në rol kryesor gjatë etapës finale të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Themelimi i Vatrës ishte arritur më 28 prill 1912; “dita e fundit e bisedimeve dhe që mund të quhet datë historike e krijimit të Vatrës, e cila kaq shumë i shërbeu atdheut në kohërat e rrezikshme që pasuan më vonë, shërbime me të vërtetë patriotike që nuk do të harrohen”. (“Federata Panshqiptare Vatra”, Beqir Meta, Glogus,Tiranë 2002)

1917 – Lufta e Parë Botërore: gjermanët kryejnë sulmin e parë ajror ndaj Londrës me bombardues Gotha G, duke shkaktuar 162 të vdekur, përfshi 46 fëmijë, si dhe 432 të plagosur.

1944 – Lufta e Dytë Botërore: Gjermania nis sulm me raketa V-1 ndaj Anglisë. Ishte arma e parë e këtij lloji dhe njerëzit filluan t’i quanin ‘bomba fluturuese’. Vetëm katër nga njëmbëdhjetë raketat e hedhura këtë ditë arritën të godasin objektivat e tyre.

1949 – Ethet e kuqe; Universiteti i Kalifornisë shpall rregullin sipas të cilit të gjithë profesorëve e punonjësve të këtij institucioni u kërkohej të nënshkruanin një dokument ku betoheshin se nuk kishin lidhje me ide ose Parti Komuniste.

1955 – Zbulohet miniera Mir – miniera e parë e diamantit në Bashkimin Sovjetik. Miniera, sot e mbyllur, ndodhet në Mirny, Siberi Lindore, Rusi

1966 – Gjykata e Lartë e Shtetet e Bashkuara pas shqyrtimit të çështjes Miranda ndaj shtetit Arizona, vendosi se policia duhet të informojë të dyshuarit për të drejtat e tyre para t’i marrë në pyetje; Që nga ajo kohë, në momentin e arrestimit, polici duhet ta informojë patjetër personin se ai/ajo ka të drejtë të mos flasë pa praninë e avokatit, pasi çdo gjë që thotë, mund dhe do të përdoret kundër tij/saj në gjyq.

2000 – Italia fal Mehmet Ali Agçan, personi i cili u përpoq të vriste Papën Gjon Pali II në vitin 1981.

2005 – Një juri në Santa Maria, Kaliforni liron këngëtarin e popit Michael Jackson për ngacmimin e 13-vjeçarit Gavin Arvizo.