Kuriozitete Ngjitet në majë të pemës për… mësimin online

Ngjitet në majë të pemës për… mësimin online

Rusia raporton një rekord rastesh të reja të përditshme të koronavirusit, çka i ka detyruar autoritetet të marrin një sërë masash në shumë prej zonave me një numër të madh të të infektuarve. Në rajonin e Siberisë, që rezulton të jetë ndër më të prekurit, u vendos mbyllja e restoranteve, qendrave tregtare, bareve për dy javë. Në një përpjekje për të ndaluar virusin, autoritetet vendosën edhe mbylljen e Universiteteve dhe zhvillimin e mësimit në klasa në internet.

Megjithatë, kjo nuk është e thjeshtë për shumë studentë të cilët kanë mungesë të aksesit në internet dhe i ka penguar të përfshihen në leksionet online. Rreth 80% e rusëve përdorin rregullisht internetin, por mbulimi në disa rajone të largëta mund  të jetë i vogël ose dhe i pamundur, për shkak të infrastrukturës apo shpesh dhe kushteve klimatike gati-gati ekstreme, si në Siberi.

Për këto arsye, një student 21-vjeçar, në Institutin Omsk të Transportit Ujor, ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve duke u lutur për një mbulim më të mirë të internetit. Studenti detyrohej të ngjitej në majën e një peme të mbuluar me dëbore, për të zhvilluar mësimin online në platformën Zoom.

Ai iu drejtua guvernatorit rajonal, Alexander Burkov, me ankesën se interneti i tij në shtëpi nuk është aq i fortë sa të lidhet me klasat në internet dhe se ai është detyruar të dalë me një zgjidhje krijuese. “Unë kam nevojë të shkoj në pyll, 300 metra nga fshati dhe të ngjitem në një majë peme që është tetë metra e lartë e mbushur me borë dhe më pas të përdor internetin për t’u folur profesorëve dhe për të provuar se nuk jam duke e lënë orën e mësimit pa ndonjë arsye”, tha ai.

Ministria e Arsimit e rajonit Omsk, në Siberi tha se po përgatiste një plan studimi të individualizuar për Dudoladov dhe studentë të tjerë, në këtë zonë, në mënyrë që ata të mund të studiojnë në një fshat tjetër, 170 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit rajonal. Mirëpo, kjo nuk është pritur mirë nga studentët, të cilët shprehen se, “njerëzit nga qyteti mund të përdorin internetin në apartamentet e tyre ndërsa fshatarët mund ta bëjnë këtë vetëm nga autostradat, çatitë dhe pemët!”.