Sport Një profil për Arben Shehun, legjendën e futbollit të Memaliajt

Një profil për Arben Shehun, legjendën e futbollit të Memaliajt

Talentet e dalë nga shkollat e futbollit memaliot, janë të shumtë dhe një prej tyre është edhe Arben Shehu.

Ai u lind në Memaliaj, më 26 dhjetor të vitit 1966, me prindër Enver dhe Nado Shehu me origjinë nga fshati Beçisht të rrethit të Tepelenës.

Ashtu si shumë familje të tjera, për një jetë më të mirë, zgjodhën qytezën e Memaliajt, për të jetuar dhe punuar, pasi po ndërtohej, zhvillohej dhe popullohej me hapa të shpejta! Familja Shehu, bënë pjesë tek ndër familjet e para në këtë qytet, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre, që në fillimet e këtij qyteti dhe rritën e edukuan katër fëmijë të mrekullueshëm të cilët quhen: Festim, Shkëlqim, Enerjeta dhe Arben.

Memaliaj 1975: Ekipi i pionierve të futbollit të ekipit “Minatori”, me trajner Prof. Miço Maçi. Lartë nga e majta: Gëzim Muskaj, Hetem Lika, Arqile Gjika, Kristaq Maçi, Miço Maçi (trajner), Adnand Çumani, Leonard Bushi, Korgji Ciko, Sadik Caushi dhe Fatmir Nanaj. Ulur nga e majta: Albert Merdani, Artur B. Hoxha, Edmond Lluka, Bashkim Deshiku, Agron Dashi (portier), Arben Shehu, Turabi Goxhaj dhe Arben Haxhiraj

Arbeni, arsimin fillor, tetëvjeçar dhe atë të mesëm, e kreu në vendlindje. Ashtu si gjithë memaliotët e tjerë, filloi të luante futboll që në moshë të vogël, me grupimet e lagjes, të cilët luanit në atë kohë, herë-herë me topa prej letre dhe llastiku.

Në moshën 10-vjeçare (1975), filloi të stërvitej dhe aktivizohej me ekipin e pionierëve të qytetit me trajner, Prof. Miço Maçi dhe vazhdoi deri në vitin 1978-të. Në vitin 1978 u grumbullua me të rinjtë e ekipit “Minatori” dhe vazhdoi të luante deri në vitin 1983-e, ku për disa kampionate, ka qenë edhe kapiteni i saj.

Si me ekipin e pionierëve, të rinjve dhe të rriturve, ka luajtur sulmues, mesfushor dhe organizator.

Fier 1985: Ekipi i të rinjve të “KS Minatori”. Lartë nga e majta: Adriatik Llaka, Edmond Tarkaj, Arben Shehu, Genci Muçi, Kristaq Maçi, Ferdiant Malasi dhe Ferdiant Tafili. Ulur nga e majta: Ilir Muka, Edmond Ismailati, Robert Sinani (portier), Guri Çibuku (portier), Ikia Karalliu dhe Arben Haxhiraj

Në vitin 1984, u grumbullua nga ekipi i të rriturve “Minatori” dhe luajti deri në vitin 1989-të. Përgjatë kësaj periudhe, ka luajtur edhe me ekipin e “Manatorit” të Memaliajt. Në kampionatet e futbollit të viteve 1989-1991, luan si sulmues me përfaqësuesen e ekipit “Luftëtari”, të Gjirokastrës.

Si shumë të tjerë, largohet për të emigruar në shtetin fqinj, Greqi dhe i krijohet mundësia të luaj si mesfushorë, me ekipin e “Lefkadhës” dhe të Prevezës, përgjatë periudhës sportive 1991-1993.

FK Memaliaj 1988: Lart nga e majta: Flamur Hoxha, Medin Dashi (portier), Kastriot Kanani, Kristaq Maçi, Xhevit Kacorri, Niko Kukumi, Arben Shehu dhe Vladimir Bushi (trajner). Ulur nga e majta: ….., Mariglen Hysesani, Vladimir Brga dhe Genci Muçi.

Në shtator të vitit 1993, rikthehet tek ekipi “Luftëtari” që ishte pagëzuar në atë kohë, me emrin “Shqiponja” dhe ishte golashënues me 12 gola, duke e nxjerr ekipin në kategori të parë. Po me këtë ekip, në kampionatin e viteve 1994-1995, kthehet në golashënues me 21 gola. Shpallet gjithashtu golashënues në vendin e dytë të kampionatit futbollistik 1994-1995, me 20 gola duke qenë një gol më pak vendit të parë!

Pamje e marrë nga gazetat sportive të kohës, kur ishte golashënues

Në vitin 1995, vlerësohet nga FSHF-ja, me “Këpucën e Artë”, si golashënuesi më i mirë i Shqipërisë. Veterani i futbollit tepelenas, Arben Shehu, ka qenë edhe presidenti i “FK Memaliaj” në periudhën sportive 2014 -2018. Edhe në vitet në vazhdim, ka qenë i përfshirë në interesimin dhe stafin e drejtimit të këtij klubi sportiv.

Tepelene 1987: Majtas, Arben Shehu, Foto Stakosha, Skënder Brahimi (trajner) dhe Bektash Caushi.

Në vazhdim, po sjellim disa komente nga ish-futbollistë dhe sportdashës memaliotë:

Sokol Velaj: “Beni ka qenë dhe do mbetet për mua, një ndër lojtarët më të mirë dhe të klasit të padiskutushëm. Ai ngelet i një niveli shumë të lartë profesional, të cilin e ka treguar si golashënuesi më i mirë në Ligë.”

Isak Vlashi: “Një lojtar shumë i shkathët dhe realizues i shumë golave. Nga shkollat e futbollit memaliotë, kanë dalë shumë yje futbolli, që për hir të fatit të keq, janë djegur kotë! Pra, fati i Benit është i njëllojtë me shumë të tjerë!”

Margarit Done: “Foto Strakosha dhe Arben Shehu, kanë qenë ndër lojtarët më rezultativë të rrethit tonë. Flas për atë periudhë kur niveli i Arbenit ka qenë i plotë, por lulëzoi në një periudhë jo të favorshme, gjë që e dëmtoi dhe e humbi fatin e tij. Niveli i tij futbollistik, ishte nivel i Ligës së parë. Ka qenë periudhë që shënonte në çdo ndeshje. Ishte i papërmbajtshëm, por nuk e kishte mbështetjen e duhur në atë periudhë, prandaj për njeriun, ndonjëherë vendimtar bëhet edhe fati që Arbenin nuk e ndihmoi aq sa duhej!“

Bujar Kuçi: “Arbeni, me lojën e tij, sipas meje benë pjesë në njerëzit e nderuar që ka nxjerr qyteti.”

Pëllumb Hamzai: “Arben Shehu është një ndër lojtarët më të mirë që ka pasur ekipi i futbollit “Minatori”. Në moshën e tij, nuk mund ta përshkruash dhe me kë ta krahasosh: aq i mirë ishte si lojtarë por dhe si çun qyteti, saqë rrallë i gjen! I uroj shëndet e lumturi në familje! Mondi, do të kujtojë disa emra të moshës tonë, të cilët ishin aq të talentuar sa edhe Arben Shehu, të cilët luanin me ekipin e të rinjve dhe fushat e zeza, si: Edmond Hoxha, Arben Hadëri, Robert Sinani, Kristaq Maçi, Edmond Ismailati, Albert Merdani, Artur Hoxha, Luan Merdani, Agim Shehu, … të datëlindjeve 1966-67. Mund të kem harruar edhe të tjerë, por ju mund t’i plotësoni.”

Albert Skrapalliu: “Kur diskutojmë me gjithfarë njerëzish, për çfarë Memaliaj në rang kombëtar është dalluar, krahas shumë emrave, memaliotët e shprehin me krenari edhe emrin e futbollistit të talentuar, Arben Shehut.”

Romeo Burhani: “Arben Shehu, është legjenda e futbollit të qytetit të Memaliajt.”

Halim Shehu: “Me plotë bindje, them se Beni është golashënuesi më i mirë i të gjithë kampionateve që zhvilloheshin në ato vite dhe që nuk u vlerësua nga federata-parti në Shqipëri.”

Memaliaj: Ish-futbollisti Arben Shehu ne ditët e para si Shefi i Klubit “Memaliaj” duke folur me futbollistin Denis Mema. Dal ne stadiumin “Karafil Caushi” me 21 shtator te vitit 2012.

Me Arben Shehun, kam patur fatin të luajmë sëbashku me ekipin e futbollit që ka përfaqësuar shkollat e mesme të rrethit të Tepelenës, në spartakiadat e jugut të cilat zhvilloheshin në Fier, Sarandë,..etj dhe disa vite me ekipin e të rinjve të “Minatorit”. Loja e tij si mesfushor dhe organizator, ishte e një niveli profesionist që të jepte një ndjesi motivimi dhe sigurie në vetvete, për të luajtur vetëm për fitore edhe pse përballeshim me ekipe të niveleve shumë të larta të futbollit.

Memaliaj: Majtas Altim Zhupa (trajner), Adelajd Caushi (kapiten) dhe Arben Shehu (Shefi i Klubit Sportiv “Memaliaj”). (2 Tetor 2012

Trajneri që e zbuloi, është Prof. Miço Maçi dhe më vonë është stërvitur nga trajnerët, Viron Laska, Qirjako Fani, Vladimir Bushi, Skënder Brahimi, Hito Hitaj, …etj. Futboll kanë luajtur edhe dy vllezërit e tij, Festimi dhe Shkëlqimi, të cilët shquheshin për lojërat e tyre spektakolare me ekipet e shtaçeve që ndesheshin në fushat e zeza dhe ato me porta hungareze.

Për kontributin e tij të lartë, që i ka dhënë ndër vite futbollit tepelenas dhe atij shqiptar, pa harruar edhe emocionet e larmishme që u ka dhuruar sportdashësve me anë të lojës së tij dhe golave nga më spektakolarë, e meriton të vlerësohet me titullin, “Qytetar Nderi i Memaliaj”.

Edmond Ismailati

1 Maj 2023