Ekonomi Numri më i ulët i fluturimeve në historinë e aviacionit

Numri më i ulët i fluturimeve në historinë e aviacionit

Kufizimet që vendosën pjesa më e madhe e vendeve të botës vitin e kaluar reduktoi fluturimet në mënyrë drastike. Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) thotë se përgjatë 2020, trafiku i pasagjerëve ra me dy të tretat. “Viti 2020 solli një sfidë të paparë për industrinë e linjave ajrore për shkak të kufijve të mbyllur dhe kontrolleve të rrepta të udhëtimit – të gjitha efektet e pandemisë“, tha IATA.

“Në vitin 2020 në tërësi, trafiku i pasagjerëve ra me 66 për qind – deri tani rënia më e madhe në historinë e aviacionit.”

IATA ngre shqetësimin se shfaqja e varianteve të reja, më të transmetueshme të koronavirusit po dëmton perspektivat për rimëkëmbje këtë vit. Sipas saj, kërkesa për ngarkesë ajrore u ul me 10.6 për qind, krahasuar me 2019-n. Kjo ishte rënia më e madhe e kërkesës nga viti në vit që kur nisi monitorimi i performancës në 1990.

“Ndërsa vendet forcojnë kufizimet e udhëtimit përballë varianteve të reja të koronavirusit, është e vështirë të shohësh përmirësime në kërkesën e pasagjerëve ose tkurrjen e kapacitetit. 2021 do të jetë një vit tjetër i vështirë”, tha Alexandre de Juniac, drejtori i Përgjithshëm dhe CEO i IATA.