Sport Paguhet 12 milionë euro në vit, por de Ligt luan me një...

Paguhet 12 milionë euro në vit, por de Ligt luan me një palë këpucë të “shkatërruara”

Matthijs de Ligt është një nga mbrojtësit më të fortë në botë, dhe padyshim nga më të paguarit.  Holandezi 21-vjeçar merr nga Juventusi rreth 12 milionë euro në vit, 8 milionë bazë plus 4 bonus, pa folur për sponsorët e shumtë.

Por djaloshi shtatlartë ka një karakteristikë që e dallon nga kolegë te tij, edhe nga ata të paguar shumë më pak. Bëhet fjalë për këpucët e tij të futbollit, që mesa duket ai nuk ndërron praktikisht kurrë.

Dhe nuk po flasim për modelin, por pikërisht për një palë që ai ka filluar të veshë në pranverën e vitit 2019, dhe që nga ai moment pothuajse nuk i ka braktisur më, në stërvitje dhe në ndeshje zyrtare.

Futbollistët e dinë që një palë e përdorur është më e rehatshme nga momenti që këpucët marrin formën e këmbës, por de Ligt e ka çuar në ekstrem përdorimin e tyre, dhe arsyeja e vërtetë mund të shkojë më shumë drejt besëtytnisë sesa komfortit në fushën e blertë. Në fakt, pasi filloi përdorimin e këpucëve, ai filloi ngjitjen në karrierë, të kulmuar në gjysmëfinalen e Champions League, ku si ish-kapiten i Ajaksit mundi Real Madridin si dhe ekipin e tanishëm, Juventusin.

Këpucët e tij janë aq të përdorura sa futbollisti i ka qepur disa herë, dhe “pullat” janë tashmë të dukshme gjatë ndeshjeve.

Modeli që përdor, Adidas X 18.1, tashmë ka dalë jashtë tregut, dhe pavarësisht se kompania gjermane i ka ofruar holandezit një sasi të atij modeli, futbollisti ka refuzuar. Ai dëshiron të luajë vetëm me atë palë. Deri sa të shkatërrohen në fushë.