Bota Pandemia është në pikun e saj në Itali: Sot 837 të vdekur,...

Pandemia është në pikun e saj në Itali: Sot 837 të vdekur, por ka të dhëna pozitive

837 persona kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19 në Itali këtë të martë duke e çuar totalin në këtë vend në 12 428.

Buletini ditor nga autoritetet shëndetësore italianë bëri të ditur se kemi 25 viktima më shumë në raport me shifrat e të hënës ku patëm 812 viktima.

Mirëpo ajo që sjell optimizëm dhe çel një rreze shpresë për mundësinë që virusi ta ketë humbur forcën më të madhe, ka të bëjë me numrin e rëndësishëm të pacientëve të shëruar.

Vetëm këtë të martë kemi 1109 persona të shëruar, ndërsa ata që janë shtruar në spitale janë vetëm 400 nga të cilët 42 në terapi intensive. Një frymëmarrje për spitalet pasi kemi të bëjmë me lirimin e 700 shtretërve që janë një lajm i mirë për të gjithë mjeket në Itali.

Numri i rasteve të reja ka pësuar një rritje të vogël në raport me ditën e hënë kur patëm 1648 pacientë të rinj.

Këtë të martë kemi 2107 persona që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Presidenti i Institutit të Shëndetit Publik në Itali, Silvio Brusaferro deklaroi se COVID-19 ka arritur tashmë pikun e saj në këtë vend dhe tani pritet të nisë kurba rënëse e pandemisë.