Aktualitet Pasaportë vaksinimi për të hyrë në lokale? Çfarë deklaroi ministrja Manastirliu

Pasaportë vaksinimi për të hyrë në lokale? Çfarë deklaroi ministrja Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka paralajmëruar se me lokalet dhe restorantet në vend mund të veprohet njësoj si me universitetet përsa i përket pasaportës së Covid.

Nga foltorja e Parlamentit, ministrja Manastirliu shtroi në formë pyetje drejtuar deputetëve të opozitës nëse duhet aplikuar edhe në Shqipëri e njëjta formulë si në vendet e Bashkimit Europian, ku për të hyrë në lokale, restorante dhe institucione duhet që qytetarët të jenë të pajisur me Green Pass (pasaporta e vaksinës Covid).

“Mos harrojmë që kur krahasohemi me Europën dhe dalim këtu dhe flasim për klasifikime, duhet të përmendim kontekstin. Si hyhet në një lokal, në një bar, në një restorant në Europë? A hyhet me Green Pass? Do ta vëmë Green Pass-in? Si shkohet në strukturat e tjera të shërbimit? Do ta vëmë Green Pass-in. E vendosëm në universitete”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Një praktikë e tillë tashmë aplikohet në Universitetet shqiptare, ku studentët për të hyrë në auditore duhet të jenë të pajisur me pasaportë Covid.