Aktualitet Policia zbardh vrasjen në Don Bosko: U krye me pagesë për llogari...

Policia zbardh vrasjen në Don Bosko: U krye me pagesë për llogari të Kasandër Nogës

Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e 4 Janarit në zonën e Don Boskos ku mbeti i vrarë Erion Çela dhe u plagosën 4 persona të tjerë.

Zyrtarisht policia thotë se autorë të kësaj ngjarjeje është K.Z, ndërsa dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj, ishin bashkëpunëtorë në ngjarje.

Vrasja sipas policisë ishte porositur nga Kasandër Noga, aktualisht i arrestuar në Belgjikë.

Porosia sipas policisë ishte për të ekzekutuar Edmond Crroj dhe dy nipërit e tij dhe Blerim Çela.

“Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të behej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit Gentian Beqiraj dhe Indrit Beqiraj nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.

Vëllezërit Beqiraj

Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A. Ç. alias Erion Çela dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi K. Z., i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit.

Në lidhje me planifikimin dhe marrjen e porosisë për vrasjen e shtetasit A. M., nga hetimet e thelluara rezultoi se 2 vëllezërit kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij. Dy vëllezërit ishin porositur nga shtetasi K. Z. dhe kjo vrasje ka ndodhur pak kohë më vonë, por ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje.

Nga hetimet e thelluara rezulton se prosositësi i dy vrasjeve të mësipërme është shtetasi K. N., i cili aktualisht është i arrestuar në Belgjikë. Ky shtetas ka porositur shtetasin K. Z., i cili ka paguar dy vëllezërit, për krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve“, tha në një deklaratë për mediat drejtori i policisë së Durrësit Skënder Hita.