Bota “Prej strategjisë së gabuar së qeverisë mijëra persona vdiqën nga COVID-19”, Boris...

“Prej strategjisë së gabuar së qeverisë mijëra persona vdiqën nga COVID-19”, Boris Johnson flet për akuzat

Kryeministri britanik Boris Johnson tha të enjten se pretendimet e ish-këshilltarit të tij Dominic Cummings se “dhjetëra-mijëra persona në Mbretërinë e Bashkuar kanë ndërruar jetë nga COVID-19 për shkak të përgjigjes së vonuar të qeverisë”, ishin të pavërteta.

I pyetur nëse ai ishte dakord me deklaratat e bëra një ditë më parë nga Cummmings, Johnson tha: “Jo, nuk mendoj njëlloj, por patjetër ky ka qenë një rrugëtim me shumë vendime të vështira, asnjë prej të cilave nuk janë marrë lehtësisht”.

“Jemi udhëhequr nga vendosmëria për të ruajtur jetët e qytetarëve dhe për t’u kujdesur që spitalet të mos mbingarkoheshin”, tha kryeministri Johnson.

Gjatë një dëshmie në parlament që zgjati rreth shtatë orë, Cummings ngriti një sërë pretendimesh mbi përgjigjen e qeverisë të drejtuar nga Boris Johnson për sa i përket trajtimit të pandemisë, ku ai gjithashtu tha se kryeministri Johnson nuk ishte i denjë për të drejtuar vendin.

“Disa nga komentet qe kam dëgjuar nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe ajo çfarë qytetarët duan është që vendi jonë të dalë nga kjo periudhë shumë e vështirë për të gjithë”, tha kryeministri britanik në përgjigje të deklaratave të Cummings.

Johnson gjithashtu tha se aktualisht rastet e reja të COVID-19, përfshirë ato me variantin e ri të identifikuar në Indi, po rriteshin dhe se duhet të prisnin pak më gjatë për të vendosur për lehtësimin apo jo të masave.