Politika Presidenti Meta dekreton emërimin e Artur Kalasë në Gjykatën e Lartë

Presidenti Meta dekreton emërimin e Artur Kalasë në Gjykatën e Lartë

Gjyqtari Artur Kalaja pas konfirmimit në detyrë nga procesi i vetingut

Presidenti Ilir Meta dekretoi sot emërimin e Artur Kalasë si gjyqtar të Gjykatës së Lartë.

Kalaja ishte një nga tre kandidaturat që shfaqën integritet të lartë etik dhe profesional në procedurën e nisur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Bashkë me të kandiduan Asim Vokshi dhe Gent Medja. KLGJ i propozoi Presidentit të emëronte Kalanë në fushën e të drejtës civile.

Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, bëhet me 8 gjyqtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së.

Përmes një njoftimi për shtyp Presidenti i bëri thirrje KLGJ-së që të vijojë pa vonesa procedurat për emërimet e tjera në mënyrë që ta kthejë sa më shpejt funksionalitetin e plotë të kësaj gjykate.

Kalaja është pjesë e sistemit të drejtësisë prej vitit 2000. Fillimisht ka qenë gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit e më pas prej vitit 2006 në Gjykatën e Apelit Tiranë.