Sport Prezantohet Muriqi: I lumtur që do luaj krah Immobiles, jam në klubin...

Prezantohet Muriqi: I lumtur që do luaj krah Immobiles, jam në klubin kryesor të Romës

Vedat Muriqi bëri një tjetër hap të madh në karrierë këtë verën pasi u transferua nga turqit e Fenerbahces në kampionatin italian te Lazio, për shifrën e 20 milionë eurove, ndërsa sot bëri edhe prezantimin zyrtar.

Në daljen për mediat sulmuesi nga Prizreni foli me superlativa për Lazion dhe shokun e tij të ri të repartit Ciro Immobilen, ndërsa theksoi se mezi pret të luajë derbin ndaj Romës dhe të ndihmojë bardhekaltrit të marrin suksesin.

Transferimi te Lazio – “Jam në një nga klubet më të rëndësishme në Itali, në klubin kryesor të kryeqytetit dhe dua të jem po aq i madh sa edhe Lazio. Jam shumë i lumtur për transferimin këtu”.

Derbi ndaj Romës – “Të gjithë futbollistët do të donin të luanin. Është një ndeshje e jashtëzakonshme dhe mezi pres ta përjetoj në fushë”.

Immobile – “Është një ëndërr të luash me të dhe të veshësh të njëjtën fanellë me të. E di që mund të mësoj shumë nga një sulmues si ai dhe do të bëj të pamundurën që ta ndihmoj të shënojë sa më shumë gola”.

Ibra i Lazios – “Dua të jem Vedat Muriqi i Lazios. Do të bëj maksimumin për këtë fanellë, për trajnerin, shokët e skuadrës dhe gjithë tifozerinë”.