Kryesore Protesta, BE: Përdorimi i eksplozivëve i papranueshëm, policia të veprojë me përmbajtje

Protesta, BE: Përdorimi i eksplozivëve i papranueshëm, policia të veprojë me përmbajtje

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, pak para nisjes së protestës së tetë të opozitës, ka paralajmëruar se ushtrimi i kësaj të drejte duhet të bëhet në mënyrë paqësore.

Në deklaratë thuhet se është përgjegjësi e drejtuesve të protestës të sigurojnë që demonstrimet të mbahen në mënyrë të sigurt. Po ashtu, BE thotë se autoritetet e zbatimit të ligjit gjithashtu kanë përgjegjësi për të vepruar me përmbajtje, edhe nëse provokohen.

“Ndërkohë që respektojmë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të demonstruar, ritheksojmë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunshme që kanë ndodhur në protestat e mëparshme. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Përdorimi i eksplozivëve ose çdo sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është krejtësisht i papranueshëm. Është përgjegjësi e drejtuesve të protestës të sigurojnë që demonstrimet të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu edhe për banorët e tjerë të Tiranës, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave. Autoritetet e zbatimit të ligjit gjithashtu kanë përgjegjësi për të vepruar me përmbajtje, edhe nëse provokohen.

Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike”, mbyllet deklarata.