Extra Pse ka një interes në rritje për magjinë?

Pse ka një interes në rritje për magjinë?

Pandemia ka ndikuar në gjëra që na duhet ende kohë për t’i kuptuar, por e habitshme është rritja e besimit në magji. Hashtag-u WitchTok ka grumbulluar miliona klikime në rrjetet sociale, manifestime është një rrymë dhe mjetet për magji mund të gjenden ngado.

“Praktika si kristalet, astrologjia, letrat tarot dhe nuskat janë mjete të thjeshta, fuqizuese dhe të përthithshme nga njerëzit të cilët mendojnë se mund të kenë sadopak nën kontroll jetën e tyre”, thotë Lottie Salako, një magjistare e bardhë nga Liverpuli si dhe analiste trendesh kërkimi në Salience Marketing Research.

Sipas kompanisë, në Google për një muaj rezultonin 1600 kërkime “si të bësh ujë hëne”, 4400 për “si të karikosh kristalet”, 22.000 për “shërimin me kristale” dhe  9900 për manifestimin, të gjitha këto në Britani.

Magjitë mund të duken të kota, por edhe ata më kundra tyre kanë marrë një monedhë të gjetur në rrugë për fat të mirë apo nuk kanë kaluar poshtë një shkalle të lëvizshme.

“Të gjithë e bëjmë. Supersticionet e vogla si trokitja në dru, besimi në karma, eksperiencat pozitive e negative me diçka përtej vetes sonë”, vazhdon Salako, e cila është njohur me praktika të tilla që në adoleshencë.

“Gjyshja ime shkonte në shtëpi të përndjekura nga fantazmat ndërsa mami më blinte libra magjie. Sot ka shumë lloje magjish: të bardhë, të gjelbër, gri, kristale, kozmike, të cilat kanë karakteristikat dhe mjetet e tyre përkatëse”.

Profesori Robert Poole nga Universiteti i Central Lancashire thotë se interesi i epokës moderne tek shtrigëria nisi në vitet 1970 me lëvizjet feministe që zbuluan gjyqet dhe përndjekjen e shtrigave përgjatë Europës. Kjo ide përfaqësonte shtypjen e një bote të tërë diturie femërore që kishte të bënte me shërimin dhe spiritualiteti, e ishte shumë tërheqëse.

“Mendoj se rishfaqja është ndikuar pjesërisht nga Covid-i kur njerëzit kërkonin mistere të jashtme ndërsa ndodheshin në realitetin e zymtë të karantinës. Është edhe një trend i madh për dramat historike aktualisht, me shpata, seks dhe magji”, shton ai duke iu referuar serialeve si “Game of Thrones” apo “The Witcher”.

Ndonëse shtrigat, magjistaret dhe magjitë janë më së shumti të lidhura me festën e Hallouinit, ngjarje të tilla ndodhin në muaj të ndryshëm të vitit në shumë vende të botës. Festivali Beltane më 1 Maj feston pjellorinë e Tokës, Litha më 21 Korrik energjinë e Diellit për të na drejtuar në veprime e kështu me radhë.