Kryesore Pse Shqipëria është e varur nga Armando Broja dhe pesë rekordet që...

Pse Shqipëria është e varur nga Armando Broja dhe pesë rekordet që vendosi me golin e shënuar në Hungari

Armando Broja debutoi 7 shtatorin e vitit të kaluar me fanellën e kombëtares, me një humbje minimale 0-1 ndaj Lituanisë dhe iu desh të priste plot një vit për të gjetur golin e tij të parë kuqezi, të cilin e shënoi vetëm para një muaji, mbrëmjen e 5 shtatorit.

Kundërshtari ishte pikërisht Hungaria, të cilën jo vetëm nuk e kishim mposhtur asnjëherë në 5 përballjet e mëparshme, por për më tepër nuk kishim arritur të shënojmë asnjë gol, e ndërkohë kishim pësuar 19 të tillë.

Por nëse në “Elbasan Arena” prapavija po e bënte shumë mirë punën, duke mbajtur portën të paprekur, duhej dikush të dërgonte topin në rrjetë dhe këtë e bëri pikërisht sulmuesi 20-vjeçar, i cili erdhi nga stoli dhe dërgoi topin në rrjetë, pas një aksioni ku një pjesë të mirë të punës u desh ta bënte vetë.

Vetëm tri ditë më vonë, kuqezinjtë u vunë përballë modestëve të San Marinos, ku Broja e nisi sërish nga stoli, për të zbritur në fushë që në fillim të pjesës së dytë dhe i mjaftuan ato 45 minuta për të shërbyer dy asiste dhe shënuar një gol prej bomberi të vërtetë.

Edhe mbrëmjen e së shtunës, djaloshi që luan për Southamptonin në Premier Leaguen angleze, nuk u preferua nga minuta e parë, por kur gjetja e golit u komplikua, natyrisht që sytë e trajnerit Reja u kthyen nga stoli, aty ku Broja po priste me padurim lejen për të hyrë në fushë.

E bëri këtë në minutën e 66’ dhe pasi qëndroi disi në hije, në të 80-ën shpiku një aksion nga hiçi, duke dominuar kundërshtarët qoftë fizikisht, qoftë teknikisht dhe më pas lëshoi një diagonale nga një kënd mjaft i vështirë, duke e dërguar topin në të vetmin vend që mund të hynte gol.

Festa kuqezi është e pamasë, pasi ia kanë dalë të grumbullojnë 9 pikë në tre ndeshjet e fundit dhe protagonsit padyshim që është Armando Broja, ndaj të cilit duket se kuqezinjtë kanë krijuar varësi dhe këtë e konfirmojnë më së miri shifrat.

Në të tre ndeshjet e fundit Broja ka luajtur një total prej 83 minutash (13’ dhe 25 ndaj Hungarisë, 45 ndaj San Marinos), por ka qenë padyshim vendimtar, pasi ka shënuar tre gola, nga një për çdo ndeshje dhe ka dhënë dy asiste, duke qenë i përfshirë (gol ose asist) në 5 nga 7 golat që kuqezinjtë kanë shënuar në tre sfidat e fundit eliminatore.

Për më tepër, me golin e shënuar në “Puscas Arena”, Armando Broja u bë futbollisti i parë shqiptar që shënon gol në tre ndeshje radhazi me fanellën kuqezi, duke vendosur një rekord.

Iu deshën 363 ditë për të gjetur golin e parë kuqezi, por duket se tani Armando Broja nuk ka ndërmend të ndalet dhe objektivi i radhës është të “fundosë” edhe Poloninë, në një “Air Albania” që do të ketë vend për 22 mijë zemra kuqezi, përveç miliona të tjerëve që do ta ndjekin nëpërmjet ekranit.

Pesë rekordet që vendosi Broja me golin e shënuar në Hungari

Goli i Armando Brojës ndaj Hungarisë, i shënuar vetëm 10 minuta para fundit, mbajti gjallë ëndrrën për një vend në Katar 2022, por njëkohësisht shërbeu edhe për të vendosur plot 5 rekorde të reja, të cilat po i listojmë më poshtë.

1- Kombëtarja Shqiptare shënoi golin e parë në histori në Hungari dhe arriti fitoren e parë në transfertë ndaj maxharëve.

2- Kuqezinjtë kanë vendosur një rekord pikësh, duke arritur të grumbullojnë 15 të tilla deri në këtë pikë të eliminatoreve. Maksimumi i pikëve që kishim marrë në një edicion eliminator ishte 14, në periudhën 2014-2015, kur siguruam pjesëmarrjen në Europian. Për më tepër, kemi në dispozicion edhe tre ndeshje, ndaj rekordi mund të thellohet më tej.

3- Armando Broja bëhet futbollisti i parë shqiptar, që arrin të shënojë gol në tre ndeshje radhazi të Kombëtares Shqiptare.

4- Kombëtarja shqiptare ka vendosur një rekord fitoresh në një edicion eliminator, pasi për herë të parë në histori ia ka dalë të triumfojë në 5 takime. Edhe këtu vlen fakti që janë edhe tre ndeshje për t’u luajtur, ndaj rekordi mund të thellohet sërish .

5- Për herë të parë, Kombëtarja arrin të shënojë gol në katër transferta zyrtare radhazi, pasi ka dërguar topin në rrjetë ndaj Andorrës, San Marinos, Polonisë e Hungarisë.