Bota Putin ka besim se OBSH do ta miratojë vaksinën Sputnik V

Putin ka besim se OBSH do ta miratojë vaksinën Sputnik V

Presidenti rus Vladimir Putin është shprehur optimist për njohjen e vaksinës ruse anti-COVID Sputnik V nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ndërsa ka thënë se një hap i tillë është thelbësor për zgjerimin e furnizimeve në rang global.

Gjatë një video-telefonate me presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Francesco Rocca, Putini tha se verifikimi i vaksinës nga OBSH është i nevojshëm për të përhapur vaksinën ruse në të gjithë botën, duke përfshirë edhe furnizimet falas.

Lideri rus argumentoi se miratimi i vaksinës nga OBSH u hap derën për të udhëtuar më lirshëm nëpër botë qytetarëve rusë, por edhe të tjerëve që kanë bërë vaksinën Sputnik V. Ai tha se rreth 200 milionë njerëz në mbarë botën kanë marrë Sputnik V.

Putini u vaksinua me Sputnik V pranverën e vitit 2021, ndërsa muajin e kaluar mori një dozë përforcuese të Sputnik Light, që është versioni i vaksinës me një dozë.

Presidenti rus mori gjithashtu një version eksperimental të vaksinës Sputnik V, i cili merret me anë të hundës, disa ditë pasi bëri dozën përforcuese.

Ai tha se ndihej mirë, pa asnjë efekt anësor.

Sipas institutit Gamaleya që zhvilloi Sputnik V, vaksina duhet të jetë efikase kundër variantit Omicron të COVID-19. Por, Gamaleya njoftoi se do të fillojë të punojë menjëherë për ta përshtatur vaksinën me variantin e ri.

Rusia është vendi i parë në botë që autorizoi një vaksinë kundër COVID-19, duke lançuar Sputnik V në gusht të vitit 2020, ndërsa ka realizuar edhe furnizime të shumta. Por përhapja dhe përvetësimi nga shtetet e tjera ka qenë i ngadaltë, pjesërisht edhe për shkak të sinjaleve kontradiktore të lëshuara nga autoritetet ruse.

Muajt e fundit Rusia ka shënuar numrin më të lartë të vdekjeve dhe rasteve të reja me COVID-19, duke kapur nivelet më të larta që prej fillimit të pandemisë. Javët e fundit, megjithatë, është vënë re një ngadalësim i ritmit. Rusia ka numrin më të lartë të vdekjeve të konfirmuara nga pandemia në Evropë, me mbi 281.000, sipas autoriteteve lokale.

Agjencia shtetërore e statistikave Rosstat, nga ana tjetër, ka raportuar të premten se nga të dhënat e saj, nga prilli i vitit 2020, deri në tetor të vitit 2021, 537.000 kanë humbur jetën nga COVID-19 në Rusi, pothuajse dyfishi i të dhënave zyrtare.

Putini, i cili me gjithë rritjen e infeksioneve në Rusi ka thënë vazhdimisht se vaksinimi duhet të mbetet vullnetar, theksoi të dielën se autoritetet ruse janë përpjekur të përdorin “bindjen dhe jo presionin” dhe kanë punuar për të larguar “paragjykimet dhe mitet që nxisin kundërshtimin e vaksinimit”.

Miratimi i shpejtë i Sputnik V nga Rusia ka ngjallur kritika jashtë vendit, sepse në atë kohë vaksina ishte testuar në vetëm disa dhjetëra njerëz. Por një studim i botuar në revistën mjekësore britanike The Lancet në shkurt të 2021, tregoi se Sputnik V është 91% efektiv dhe duket se parandalon që personat e infektuar të sëmuren rëndë me COVID-19.

Rusia e ka promovuar Sputnik V në mbarë botën, megjithëse u përball me pengesa në dërgimin e sasisë së vaksinave që premtoi. Vendet në Amerikën Latine janë ankuar për vonesat në mbërritjen e dozës së dytë të Sputnik V.

OBSH ka rishikuar të dhënat rreth vaksinës ruse Sputnik V, si pjesë e procesit të miratimit. Një miratim i tillë mund të hapë rrugën për përfshirjen e kësaj vaksine në programin COVAX që po dërgon vaksina anti-COVID në një sërë vendesh në mbarë botën, bazuar në nevojat e secilit vend.