Bota Qeveria e re në Maqedoninë e Veriut, Gashi: S’luajmë kumar me integrimin,...

Qeveria e re në Maqedoninë e Veriut, Gashi: S’luajmë kumar me integrimin, me BDI për shqiptarët

Maqedonia e Veriut pritet të bëhet me qeveri të re deri në mesin e janarit. Këtë e konfirmon kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, i cili sqaron dhe synimet në programin qeverisës të riformatuar. Drejtuesi i partisë shqiptare bëri të ditur dhe arsyet pse iu bashkua LSDM për të ruajtur shumicën parlamentare duke zgjidhur krizën politike dhe shmangur zgjedhjet e parakohshme.

“Me hyrjen tonë në qeveri u pastruan këto dilema, kemi një shumicë të re me 64 deputetë dhe shteti po sheh drejt vitit 2022 në tentativat që t’i zgjidh këto krizat energjetike e shëndetësore, por ajo që është shumë e rëndësishme është që jemi shumë afër hapjes se negociatave me BE-në, janari, shkurti apo fillimi i marsit janë muajt që vërtetë janë shumë vendimtarë për ne, çelja e negociatave për ne do të ishte një lajm brilant. Andaj mendoj që Alternativa nuk deshi që ta vendosë në bixhoz ketë mundësi të madhe, edhe për shtetin, edhe për shqiptarët, edhe për rajonin”, deklaroi Gashi.

Një koment pati edhe për Bashkimin Demokratik për Integrim, partinë tjetër shqiptare, të cilën Alternativa e ka sulmuar vazhdimisht. “Ne jemi dy subjekte në oponencë me njëra-tjetrën, por ka shumë punë të shqiptarëve qe kanë interesa te përbashkëta. Andaj tentativa ime është që të mos kemi betejë të brendshme dhe të bllokojmë njëra-tjetrën sepse në fund të fundit do t’ia pamundësojmë funksionimin edhe njëra-tjetrës dhe kjo shkon në llogari të qytetarit”, shtoi kreu i Alternativës.

Dimitar Kovaçevski do të jetë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, i cili zëvendëson Zoran Zaevin e larguar tashmë nga politika. Në qeverinë e re, Alternativa do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Shoqërisë Informative dhe Ministrinë për Diasporën.