Kuriozitete Qyteti gjerman i “ndërtuar” me 72 mijë tonë diamante

Qyteti gjerman i “ndërtuar” me 72 mijë tonë diamante

Ndërtesat e qytetit gjerman Nordlingen mendohet se fshehin rreth 72 mijë tonë diamante, të krijuar nga përplasja e një asteroidi miliona vite më parë.

Krateri gjigant i shkaktuar nga përplasja ndodhet ende si dëshmi eventit kozmik në jug të Gjermanisë.

“15 milionë vite më parë një asteroid gjigant me diametër sa qyteti Nordlinger sot, që ndodhet 1 kilometër larg goditi këtë zonë. Në momentin e përplasjes, shpejtësia e asteroidit ka qenë rreth 70 mijë kilometra për orë. Energjia e çliruar nga përplasja shkaktoi një krater me diametër 25 kilometra”, thotë Gisela Posges.

Gjeologia gjermane heq një paralele mes këndvështrimit gjeologjik të kohës së përplasjes me kohën si koncept njerëzor.

“Nga perspektiva gjeologjike, nëse krahason moshën e Tokës, që është 4.5 miliardë euro me një vit kalendarik, përplasja i bie që ka ndodhur dje pasdite”, shton ajo.

Qyteti Nordlinger është vendosur pikërisht në një nga valët e tokës të krijuara pas përplasjes. Qyteti është i rrethuar nga një mur mesjetar mbrojtës dhe ka një histori të pazakontë, jo vetëm në krahasim me qytetet e tjera gjermane dhe është bërë objekt frymëzimi për shumë filma.

Në vitin 1971, skena të filmit “Willy Wonka & the Chocolate Factory” u xhiruan në këtë qytet, e po ashtu në Japoni një serial i famshëm televiziv frymëzohet nga arkitektura e Nordlinger, duke përshkruar një qytet të rrethuar nga monstra që hanë njerëz. Seriali ka dyndur turistët japonezë në këtë qytet.

Përplasja e asteroidit krijoi një lloj të rrallë masivi shkëmbor, të quajtur suevit.

“Është një shkëmb i rrallë, sepse është çelësi për të zbuluar që zona është një krater i krijuar nga përplasja e një asteroidi”, thotë gjeologia.

Presioni dhe nxehtësia e lartë krijuan tonelata diamantesh të vogla që dallohen lehtësisht me sy nëse mbi ta bie pak dritë dielli.

Nga përllogaritjet e gjeologëve dhe të inxhinierëve rreth 72 mijë tonë diamantë fshihen në muret dhe ndërtesat e qytetit Nordlingen, i ngritur thuajse i gjithi me gurët e marrë nga krateri i krijuar nga asteroidi. Problemi është që këta diamantë janë tepër të vegjël dhe gjithë kostoja e procesit të nxjerrjes së tyre nuk ja vlen ekonomikisht.