Kryesore Rama: “5 qershori” kalon në Kuvend të enjten, Basha të mos bëjë...

Rama: “5 qershori” kalon në Kuvend të enjten, Basha të mos bëjë gabimet e të shkuarës

Pas marrëveshjes së nënshkruar me grupet e opozitës parlamentare, kryeministri Edi Rama u shpreh se pavarësisht kundërshtisë së Myslim Murrizit, ai ka bindjen se marrëveshja e “5 qershorit” do të votohet këtë të enjte në Kuvend.

Ai theksoi se tashmë opozita jashtë parlamentit e ka një datë për votimin e marrëveshjes dhe duhet të vijojë që nesër dialogu në Këshillin Politik.

“Jam i kënaqur me marrëveshjen, pasi kemi arritur një konsensus të gjerë, edhe pse jo total për ‘5 qershorin’ dhe një konsensus të plotë për hapjen e listave, por edhe për të vazhduar procesin gjithëpërfshirës së bashku me opozitën jashtë parlamentare. Një orë e më parë do të ishte mirë të mblidhet Këshilli Politik dhe të diskutojmë sepse kemi hapur një diskutim dje dhe tani jemi në kushtet kur duhet të flasim konkretisht. Nga një anë, opozita jashtë parlamentit kërkonte të dinte datën e saktë dhe tashmë e ka.

Kemi bërë goxha debat për pikën 1, sidomos me Murrizin, ndërsa kemi pasur sinjale inkurajuese nga dy kryetarët e grupeve të tjerë dhe besoj se do të ishte mirë që edhe Murrizi të bashkohej në konsensus të plotë, kam bindjen që do ta kalojmë 5 qershorin. Problemi është se opozita nuk ka një formacion të unifikuar. Nesër do të jemi në këshillin politik. Marrëveshja e sotme dhe e 5 qershorit janë dokumente që duhet të kthehen në materie ligjore”.

Rama e mbylli fjalën e tij me një thirrje për Bashën.

“I bëj thirrje Bashës të mos bëjë gabimet e të shkuarës duke refuzuar tryezat. Nuk jemi të detyruar të biem dakord për të gjitha. Kemi mundësi që të biem dakord për shumëçka. PS ka bërë lëshimet e veta. I ka qëndruar një procesi që realitetin politik. E gjitha zhvillohet në sytë e popullit shqiptar. E kam thënë shumë herë kush i merr shqiptarët për budallenj, e ha”, tha Rama.