Kryesore Rama: Kemi fituar fazën e parë të përballjes me Covid-19

Rama: Kemi fituar fazën e parë të përballjes me Covid-19

Sipas kryeministrit Edi Rama nëse masat nuk do të ishin marrë në masën e duhur, mund të kishim 18 mijë të vdekur. Këtë shifër, kreu i qeverisë e bëri gjatë seancës plenare që u zhvillua këtë të enjte. Sipas Ramës, Shqipëria e ka fituar fazën e parë me Covid-19 dhe nuk ka asnjë arsye për ta hedhur poshtë këtë.

“Jo projeksionet tona, por të bëra nga ekspertë të pavarur dhe që janë publikuar në krye të herës në ekrane flisnin për mundësinë që nëse nuk do ishte marrë asnjë masë ne do të kishim 18 mijë të vdekur. Projeksionet tona sikur masat të mos ishin respektuar flisnin për 2800 të vdekur. Qeveritë vlerësohen për atë që bëjnë, vlerësohen edhe për atë që ndalojnë të ndodhë. Nuk ka asnjë argument, dhe asnjë arsye që mbi baza të qëndrueshme logjike që të hedhë poshtë faktin se sot Shqipëria ia ka dalë fazës së parë të përballjes me këtë armik të padukshëm”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë asnjë vend tjetër në glob nuk ka bërë asgjë më shumë se ne. Rama falenderoi edhe punën e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

“Kanë treguar se për këtë fushë Shqipëria nuk ka pse të ketë zili ndonjë vend”, tha Rama.

Ndërkohë Rama tha se do të fitojmë edhe betejën në frontin e ekonomisë.

“Ne po fitojmë betejën në frontin e shëndetësisë dhe ne do ta fitojmë dhe betejën në frontin e ekonomisë. Me sakrifica dhe me strese durim, por padiskutim do t’i fitojmë të dyja betejave”, tha Rama.