Aktualitet Një tjetër paciente humbet jetën nga koronavirusi në Shqipëri

Një tjetër paciente humbet jetën nga koronavirusi në Shqipëri

Ka shkuar në 26 numri i pacientëve të infektuar me koronavirus që kanë humbur jetën në vendin tonë.

Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se viktima është një grua 64-vjeçare nga Tirana, e cila ndërroi jetë mëngjesin e sotëm pasi pësoi arrest kardiorespirator.

Pacientja ka qenë e intubuar prej më shumë se 2 javësh në spitalin “Shefqet Ndroqi”. 64-vjeçarja vuante edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit u testuan 269 persona të dyshuar, mes tyre 53 personel shëndetësor. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 24 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 6 janë personel shëndetësor.

Nga rastet e reja, 12 i përkasin Shkodrës dhe 3 raste në Tiranë, 3 raste në Kukës, 3 raste në Fier, 1 rast në Korçë, 1 rast në Kavajë, dhe hartës i shtohet Mallakastra me 1 rast. Deri në këto momente janë testuar 4827 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 518 raste në total.

“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 34 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 prej tyre janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 43 pacientë. Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet në Mallakaster dhe zgjerohet në Tiranë, Kukës, Fier, Kavajë, Shkodër dhe Korçë”, deklaroi Silva Bino.