Politika Rama konfirmon nisjen e procesit gjyqësor ndaj “Bild”. Reagon gazetari gjerman

Rama konfirmon nisjen e procesit gjyqësor ndaj “Bild”. Reagon gazetari gjerman

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar përmes një postimi në Twitter se shumë shpejt nis procesi gjyqësor ndaj gazetës gjermane “Bild”, e cila në javët e fundit ka publikuar disa audio përgjime që sipas saj, faktojnë shitblerjen e votave dhe manipulimin e disa proceseve zgjedhore në Shqipëri.

“Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e BILD! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije”, shkruan Kryeministri.

E menjëhershme ishte përgjigjja e gazetarit Peter Tiede, i cili komentoi në postimin e kryeministrit duke e pyetur se për çfarë akuzohej: “Për çfarë po më akuzoni? Për publikimin e audio-përgjimeve të vërteta?”

Pas publikimit të një telefonate të përgjuar në të cilën vetëm Rama fliste me një prej personave që sipas “Bild” ishte i ngarkuar për të realizuar manipulimin e zgjedhjeve, Kryeministri pati paralajmëruar padinë ndaj gazetarit gjerman Peter Tiede, i cili është edhe autor i shkrimeve që shoqërojnë audio përgjimet.