Aktualitet Rama: Ligji i arsimit të lartë nuk preket. Basha: Të anulohet! Zanafilla...

Rama: Ligji i arsimit të lartë nuk preket. Basha: Të anulohet! Zanafilla e së keqes!

Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se i sfidon të gjithë ata që mendojnë se ligji i Arsimit të lartë është “nëna” e të gjitha të këqijave.

Gjatë konferencës për shtyp, ku bëri publike vendimet e qeverisë në lidhje me kërkesat e studentëve, kreu i qeverisë mohoi në mënyrë kategorike anulimin e ligjit për arsimin e lartë.

“Nuk ka asnjë arsye që ligji i arsimit të lartë të preket. Nuk kam dëgjuar asnjë që të më japë një fakt që këtë zhvillim pozitiv të kërkuar e ka shkaktuar ligji i arsimit të lartë. Ligji i arsimit të lartë nuk preket. Një fjalë kam është shumë e rëndësishme të ndajmë pedagogët. Ka shumë që janë heronj.. dhe përpara se pedagogët të shkojnë tek ligji është mirë që të provojnë veten e vet sa i takon ligjit”, tha ai.

Sipas Ramës, çdo kush ka të drejtë të kërkojë anulimin e këtij ligji, por theksoi se ai është “rezultat i mandatit që ka marrë shumica nga populli”.

Teksa prezantoi edhe projekte në bashkëpunim me qeverinë gjermane dhe atë turke, Kryeministri garantoi se brenda këtij mandati të gjithë konviktet e Republikës së Shqipërisë do të jenë të rindërtuara.

Basha reagon: Të anulohet! Zanafilla e së keqes!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cilësoi mashtrime për të çoroditur studentët dhe opinionin publik vendimet e marra sot nga qeveria. Sipas tij asnjë nga VKM nuk adreson kërkesat e studentëve dhe as nuk ofron zgjidhje.

Basha tha se zgjidhja e vetme është anulimi i menjëhershëm dhe i plotë i ligjit korruptiv për ligjin e arsimit të lartë dhe demokratizimi i Universiteteve, duke u dhënë autonomi më të plotë.

“Dua t’u them rrugët e daljes ku gjendet sot arsimi. I pari anulimi i plotë dhe i menjëhershëm i ligjit të arsimit, që është zanafilla e së keqes. Ky është gur themeli që qëndron kjo godinë korruptive. Nga njëra anë takson familjet shqiptare dhe nga ana tjetër tarifat sa vijnë e rriten. Drama e arsimit të lartë është kjo: kemi sot arsimin e lartë më të shtrenjtë dhe të lartë në europë dhe një nga cilësitë më të dobëta në botë, – u shpreh Basha. – Duhet hartimi i plotë dhe i ri i një ligji të ri, me studentë e pedagogë. Kjo do të thotë investim në infrastrukturën konviktore, sepse një pjesë rrinë në konvikte e me qira. Ne si PD, do ta konsultojmë me pedagogë e studentë këtë çështje në javët e para të janarit”.

“Shtylla e dytë është buxheti për arsimin e lartë, – vazhdon Basha. – Totali i buxhetit të arsimit të lartë është rritur afërsisht me 2 mln dollarë. Çfarë tarifash do përgjysmosh me 2 mln euro! Propozimi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: dyfishim i buxhetit, që do të thotë 74 mln dollarë të investuara më shumë; së pari për të subvencionuar tarifat e studentëve. Pra, prindërit e studentëve, nuk duhet të paguajnë as tarifën master e as atë bechelor dhe këtu bëhet fjalë për të gjithë ata studentë që vijnë me të ardhura 640 mijë lekë të vjetra në muaj”, – shpjegoi kryedemokrati në konferencën e tij për shtyp.