Politika Rama: Nuk e harroj çfarë më tha ish-kryeministri suedez për shqiptarët me...

Rama: Nuk e harroj çfarë më tha ish-kryeministri suedez për shqiptarët me makina

Në një bashkëbisedim me bizneset e vogla në Durrës, Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për protestat që po zhvillohen kundër rritjes së çmimeve.

Gjatë fjalës së tij, Rama kujtoi një bisedë me ish-kryeministrin e Suedisë gjatë një vizite të këtij të fundit në vendin tonë.

“Këta flasin për mjerim, më keq se në Afrikë, po vdes gjithë populli për bukë dhe ndërkohë…S’e harroj kurrë ish-kryeministrin e Suedisë, një nga figurat më të mëdha të politikës evropiane të fundshekullit XX dhe fillimshekullit XXI, njeriu që ka bërë reformat më të rëndësishme në Suedi dhe që ftohet në gjithë botën për të dhënë leksione sot.

Erdhi në Shqipëri, vajti deri poshtë dhe u ngjit deri në majën e Nivicës në Tepelenë se shoqëronte disa miq të tij suedezë që po bëjnë një investim atje për një turizëm ekologjik dhe më tha: ‘Si e shpjegon Kryeministër që në të dhënat që unë kam marrë për të pasur idenë e vendit ku vij se kudo në çdo vend që shkoj unë marr të dhënat e bankës qendrore të atij vendi, si e shpjegon që në të dhënat e bankës qëndrore shifrat janë 1-2-3-4 që nga Prodhimi i Brendshëm Bruto etj, ndërkohë që unë nga aeroporti deri në Tepelenë nuk kam parë asnjë makinë prej vendi të varfër. As edhe një’. Dhe rruga – tha – ishte plot me trafik. Si shpjegohet kjo? Unë qesha, i thashë ne kemi vështirësira të tjera.

Nuk po them – tha –  që jeni vend i pasur. Por vendi i varfër është një fjalë tjetër se unë kam bredhur shumë – tha – kam parë shumë vende të varfra. Po si e shpjegon ti, i thashë unë. Informalitet, tha. Shumë të ardhura të padeklaruara dhe natyrisht shumë kontribut nga emigracioni që këtë ne e dimë shumë mirë. Pse e them këtë? E them këtë se ndërkohë në këtë vend janë një pjesë që nuk i kanë këto makina dhe që kanë realisht nevojë për mbështetje, dhe me ata merremi ne. Në radhë të parë, po të kishim mundësi do merreshim dhe me këta të tjerët”, u shpreh Rama.