Kryesore Rama pas takimit me Palmer: Bashkëbisedimi na gjeti në dakordësi të plotë

Rama pas takimit me Palmer: Bashkëbisedimi na gjeti në dakordësi të plotë

Pas takimit me zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Matthew Palmer, Kryeministri Rama reagoi përmes rrjeteve sociale duke treguar disa nga temat për të cilat foli me zyrtarin e SHBA.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matheë Palmer”, shkroi Kryeministri në Twitter.

Të martën, Palmer do të takohet edhe me kreun e opozitës Lulzim Basha. Ndryshe nga sa ishte njoftuar paraprakisht, Palmer do të ketë një takim edhe me kryetaren e LSI Monika Kryemadhin, kurse rreth orës 17.30 zyrtari do të ndodhet në presidencë për takimin me presidentin Ilir Meta. Gjatë ditës së nesërme zyrtari i lartë amerikan takohet edhe me një grup gazetarësh.

Vizita e tij sipas një zëdhënësi të ambasadës amerikane është rutinë në kuadër të një turi në Ballkan, por gjithsesi Palmer vjen në Tiranë në mes të një krize politike që nuk i dihet ende sa do të zgjasë.

Kryeministri Rama është i palëkundur ndaj kërkesës se opozitës për largimin e tij ndërsa opozita mban me 13 prill protestën kombëtare të radhës në përpjekje për të fituar një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në një proces të lirë e të ndershëm votimi.