Kryesore Rama publikon projeksionet: Nëse nuk do merreshin masat, sot do kishim 286...

Rama publikon projeksionet: Nëse nuk do merreshin masat, sot do kishim 286 të vdekur

Shqipëria vijon të përballet me pandeminë globale të COVID-19, ndërsa për të frenuar dhe menaxhuar më mirë situatën, qeveria shqiptare ka vënë në zbatim një plan masash duke u kufizuar daljen qytetarëve në rrugë. Kryeministri i vendit, Edi Rama, tregoi projeksionet se sa viktima dhe të infektuar mund të numëronte sot Shqipëria nëse nuk do të ishin marrë masa drastike.

Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se nëse lufta kundër COVID-19 do të ecë në këtë trend, Shqipëria dhe shqiptarët do të dalin kryelartë dhe do të shkruajnë historinë.

“Këtu kam projeksionet mundshme që kemi bërë kur ne kemi nisur luftën. Nëse nuk do kishim marrë masa, do të kishim 3008 të infektuar thuhet këtu, por mund të ishin më shumë ose më pak të infektuar, me projeksionin tonë mesatar do të ishin 600 të infektuar, sot faktikisht jemi më pak, jemi vetëm 377. Ky është rezultat i masave të marra. Nëse ne nuk do të kishim marrë masa, sot do të kishin numëruar 286 të vdekur, me projeksionin mesatar përllogaritja ishte 45 të vdekur. Kemi sot një bilanc inkurajues. Asnjë bilanc nuk bëhet në mes të luftës, në mes të ndeshjes para se të mbarojë lufta. Nëse do ecim kështu, ne do ta kemi mbaruar luftën me kokën lart dhe do të kemi bërë histori falë jush”, tha Rama.

Me anë të një komunikimi në rrjetin social “Facebook”, shefi i ekzekutivit ka falënderuar edhe Bashkinë e Elbasanit, e cila ka vendosur pika të verdha nëpër rrugët përpara instucioneve që qytetarët të respektojnë distancimin social.

“Ky do të jetë standardi kudo dhe pikat e verdha do të bëhen si vijat e bardha a si semaforët, me detyrimin për t’i respektuar të gjithë dhe masat ndëshkimore për shkeljen e tyre.

Deri dje vetëm automjetet mund të plagosnin e vrisnin njerëz, sot edhe këmbësorët janë rrezik për njëri-tjetrin, prandaj deri nesër, kur bota të rikthehet në normalitet, na duhet të bashkëjetojmë me rregulla që deri dje as nuk i ka imagjinuar dot askush”, shkruan Rama.