Kryesore Rama rikthehet në fushatë pas operacionit: Duhet të heqim apendicitin e shumë...

Rama rikthehet në fushatë pas operacionit: Duhet të heqim apendicitin e shumë viteve me 2 koka

Pas operacionit për heqjen e apendicitit, kryeministri Edi Rama është rikthyer në fushatë elektorale. Dhe ka zgjedhur ta bëjë pikërisht nga Kamza me kryebashkiakun aktual që rikandidon Rakip Suli.

Rama theksoi se është detyrë më e rëndësishme heqja e apendicitit me 2 koka të shumë viteve, duke iu referuar kundërshtarëve politikë.

“Kuptova që apendiciti qenka përgjithësisht një hall për të rinj, por në të gjitha rastet, erdhi në një moment kur kemi një apendicit më të rëndësishëm për të hequr që është apendiciti i dhimbshëm i shumë viteve me dy koka, emrat e të cilave nuk po i përmend që mos e prishim kënaqësinë e kësaj feste të gjelbër. Dhe duke luftuar me mjekët, edhe me stafin tim për të dalë nga kafazi, ata kanë të drejtën e tyre, më në fund ju mora një takim jashtë zyre dhe shtëpie dhe midis të gjitha opsioneve ju thashë do shkoj te Rakip Suli në Kamëz sepse këtu është pasqyra më kuptimplotë e fjalës Rilindjes dhe mendova që do marr dhe unë pak nga Rilindja juaj dhe Kamza për të rilindur me shpejtësi që të heqim apendicitin e 14 Majit”.

Kryeministri foli dhe për këngën e fushatës të zgjedhur nga Partia Socialiste.

“Ndër të tjera kam qenë edhe i bezdisur shumë nga disa kritikë në Tiranë që janë mërzitur me tallavanë tonë. Sikur të ishin njerëz që dëgjojnë gjithë ditën Bet’hovenin hajde se do ja u falja por janë ata që dëgjojnë gjithë ditën Saliun me Ilirin”, tha ndër të tjera Rama.