Kryesore Rama: Sanksione bashkive që nuk pastrojnë territorin

Rama: Sanksione bashkive që nuk pastrojnë territorin

Kryeministri Edi Rama foli për tradhti kombëtare kur u ndal tek ndotja e ambientit dhe si model të krimit mjedisor solli Pyllin e Sodës në Vlorë.

Gishtin e përgjegjësisë e ngriti ndaj kryebashkiakut Dritan Leli, të cilit i kujtoi edhe përveshjen e mëngëve për të pastruar si vetë ai mbetjet e depozituara në këtë pyll.

“Kjo është tradhti kombëtare, Vlora është modeli më i shëmtuar për abuzimin me mjedisin dhe indiferencën lapidare të bashkisë që është bashkëabuzuese me njerëzit  se nuk është ky pyll si amazonat në Brazil”.

Por bashkëfajtor në krimin mjedisor bëri edhe policinë e shtetit, të cilës i kujtoi detyrat e shtëpisë.

“Është e pajustifikueshme që këtu përpara Policisë së Shtetit disa metra larg nga këtu mbushet një sipërfaqe pylli pa leje dhe askush se shikon, këto janë akte krimi ndaj mjedisit”.

Dhe për t’i vënë fre këtij abuzimi, shefi i qeverisë paralajmëroi ndërprerjen e burimeve financiare për bashkitë që nuk pastrojnë territorin e tyre, për të cilat tha se në buxhet qeveria ka bërë edhe kostot e mbajtjes pastër të mjedisit.

“Asnjë bashkie s’do i lejohet të bëjë asgjë tjetër nëse nuk garanton burimet financiare të nevojshme për pastrim e nëse nuk garaton që ato burime përkthehen në një territor të pastër”.