Kryesore Rama thyen heshtjen për Tahirin: Në raport me ligjin përgjegjësia është personale

Rama thyen heshtjen për Tahirin: Në raport me ligjin përgjegjësia është personale

Kryeministri Rama tha sot se Saimir Tahiri është një çështje e Drejtësisë. I pyetur nga Top Channel, Rama thotë se çdo përgjegjësi në raport me ligjin e kujtdo është personale.

Përgjegjësia e forcës politike dhe Qeverisë është mënyra se si reagon ndaj cilitdo që ka problem me ligjin. Në këtë aspekt thotë Rama jemi një shembull i pakonkurrueshëm në historinë e këtyre 30 viteve.

Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri foli sot për dënimin e tij nga gjykata Krimeve të Rënda duke thënë se do të vazhdojë betejën ligjore duke apeluar vendimin. Por ai quajti presion qëndrimin amerikan. Ambasdada e Shteteve të Bashkuara e quajti dënimin e tij shkurajues në krahasim me akuzat.

Zoti Kryeministër. Si e pritët vendimin e dënimit për shpërdorim detyre të Saimir Tahirit, i vlerësuar nga ana juaj si ministri kampion?

Rama: “Është një çështje e drejtësisë dhe unë s’kam komentuar e as komentoj dhe s’kam gjë për të thënë”.

Kur prokuroria kërkonte arrestimin e Saimir Tahirit më 23 tetor 2017 në mbledhjen e grupit parlamentar deklaruat: “Uroj që të mos e kem pishmanin e jetës time politike gjithçka kam dhënë dhe gjithçka kam marrë nga Saimir Tahiri. ‘Unë e dua Saimirin, por sot, më shumë se Saimirin dua drejtësinë të më tregojë të vërtetën. Drejtësia foli zoti kryeministër. A është tashmë zoti Tahiri pishmani juaj?

Rama: “Kjo është një çështje e drejtësisë dhe unë s’kam asgjë për të thënë sepse procesi vazhdon”.

A keni ju zoti Kryeministër përgjegjësi morale dhe politike për këtë dënim pasi Saimir Tahiri ishte një prej bashkëpunëtorëve dhe një prej ministrave tuaj më të rëndësishëm?

Rama: “Nuk kam asnjë koment për të bërë sepse është një çështje e drejtësisë. Nga dita e parë deri në ditën e fundit kam qenë dhe mbetem i idesë se çdo përgjegjësi në raport me ligjin e kujtdo qoftë është personale, ndërkohë që përgjegjësia e forcës politike apo e Qeverisë është mënyra se si reagon ndaj cilitdo që ka një problem me ligjin. Në këtë aspekt besoj se jemi një shembull i pakonkurrueshëm në historinë e këtyre 30 viteve”./Top Channel