Aktualitet “Reforma nuk negociohet”, mesazhi i fortë i shefes së ONM: Duam të...

“Reforma nuk negociohet”, mesazhi i fortë i shefes së ONM: Duam të shohim njerëz në burg

Një mesazh i fortë e i drejtpërdrejtë ka ardhur për Shqipërinë për zbatimin e reformës në drejtësi. Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Cavalera, gjatë fjalës së saj në një konference në Samitin dyditor të Poznanit për Ballkanin Perëndimor, deklaroi se tashmë reforma në drejtësi nuk duhet të diskutohet.

“Unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur, ne do të kemi një gjyqësor të pavarur. Shqipëria do të arrijë në një pozicion fantastik, për të kapur kohën e humbur deri tani. Vetëm mund të shpresoj që, në Shqipëri, kur sistemi po tronditet, të gjithë politikanët ta kuptojnë vlerën që ka respektimi dhe mbështetja e kësaj reforme”.

Shefja e ONM-së theksoi se nevojiten rezultate konkrete të reformës në drejtësi, të cilat janë kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Këtë herë kur ne negociojmë anëtarësimin, ne kërkojmë një historik treguesish. Kjo do të thotë që ne duam të shohim që ligjet të zbatohen, duam të shohim njerëzit në burg, asetet e krimit të sekuestrohen dhe ne duam të kemi mjaftueshëm fakte/prova, jo vetëm ligje, për të demonstruar që sistemi është i konsoliduar”.

Meritën për nisjen e ndryshimeve në vendin tonë, Calavera ia faturoi popullit shqiptar, jo politikanëve, duke theksuar se tashmë ndryshim dramatik ka nisur.

Për integrimin e rajonit foli dhe Eurokomisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn. Ai kërkoi nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të rrisin ritmin e reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisjen e mirë. Hahn paralajmëron se mungesa e vlerësimit për shtetet që kanë bërë arritje historike do të dëmtojë besueshmërinë e Unionit Europian.

“Mbështes rekomandimet e Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore dhe kam besim se Këshilli i tetorit do të ndjekë rekomandimin tonë pozitiv. Të dyja vendet kanë përmbushur reforma, veçanërisht në fushat e përmendura në konkluzionet e Këshillit të qershorit të 2018-ës”, u shpreh Komisioneri Hahn.